25-11-2024

Prizren: Supremja vërteton vendimin e Apelit në rastin e dënimit me 25 vite burgim të burrit që vrau gruan

Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorisë Themelore në Prizren në rastin e të dënuarit Bajram Velija për vrasjen e bashkëshortes së tij me 14 plumba.

Në vendimin e Supremes të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, kishte paraqitur Prokurori i Shtetit të Kosovës, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prizren kishte shpallur aktgjykim dënues për Velijajn, duke e dënuar me burgim të përjetshëm

Ndërsa, Apeli me aprovimin e ankesës së mbrojtjes, dënimin me burgim të përjetshëm e kishte zbutur në 25 vite burgim

Në aktgjykimin e Supremes thuhet se Apeli ka arsyetuar mjaftueshëm zbutjen e dënimit në 25 vite.

“Gjykata e shkallës së dytë, ka arsyetuar dhe ka dhënë arsye të mjaftueshme me të cilat pajtohet edhe kjo gjykatë se pse i ka shqiptuar të dënuarit, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 25 vite.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se, gjykata e shkallës së dytë ka vepruar drejtë kur pretendimet e mbrojtjes i ka vlerësuar si të bazuara sa i përket rrethanave rënduese që kishte gjetur gjykata e shkallës së parë.

Në aktgjykimin e Supremes thuhet se në vendimin për uljen e dënimit nga Apeli kishin ndikuar rrethanat lehtësuese të cilat rrethana nuk i kishte marrë parasysh gjykata e shkallës së parë.

“Ashtu siç ka konstatuar edhe vet gjykata e shkallës së parë, fakti se i akuzuari pas kryerjes së veprës penale ka informuar familjarët e tij po edhe të ndjerës si dhe duke mos i marrë parasysh rrethanat lehtësuese të cilat kanë ekzistuar në anën e të dënuarit, e të cilat gjykata e shkallës së dytë i ka vlerësuar dhe të cilat rrethana kanë ndikuar në uljen e dënimit dhe
shqiptimin e dënimit të cekur më lartë” thuhet në vendim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Velija më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje kishte privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A.A.

Në aktakuzë thuhet se, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit. Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

Bajram Velija ngarkohet se me këto veprime ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë e cila dënohet me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, më 6 gusht 2019, i pandehuri mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, Velija ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve për të cilën është paraparë dënimi me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.