Prizren: Suspendohet rreshteri që nuk reagoi në protestë pas sulmit ndaj gazetarit Krasniqi
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren së bashku me Inspektoratin Policor të Kosovës kanë suspenduar për 72 orë një zyrtar policor i cili nuk ka reaguar derisa gazetari Vullnet Krasniqi është sulmuar nga disa persona gjatë protestës kundër “DokuFest” në Prizren.
“Rreshteri ishte zyrtari i parë që gazetari i është drejtuar dhe gjatë këtij kontakti dyshohet se nuk ka pasur një reagim dhe sjellje profesionale nga ai. Policia në përgjithësi edhe në Prizren në veçanti vazhdon të jetë e përkushtuar për të ofruar ndihmë, rend dhe siguri për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për gazetarët me të cilët kemi bashkëpunim të mirë, të vazhdueshëm dhe profesional”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Kujtojmë se të premten Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur grumbullimin e të dhënave rreth policëve që ishin të pranishëm gjatë protestës kundër “DokuFestit” në Prizren, ku u sulmua gazetari Vullnet Krasniqi.