17-05-2024

Prizren: U mbajt turneu memorial i shahut “Astrit Dehari”

Për të dytën herë me radhë në Prizren, është duke u mbajtur turneu memorial i shahut “ Astrit Dehari”. Interesimi i adhuruesve të shahut ka tejkaluar edhe parashikimet e organizatorëve.

Mjeshtri i shahut, Sabahudin Kollari, ish kampion i Kosovës në këtë sport, edhe pse në moshë të shtyrë, kishte ardhur nga Rahoveci me mbesën e tij, Sara Limanmera, për të marrë pjesë në këtë ngjarje sportive e cila për të dytën herë po mbahet në Prizren.

Ai dhe mbesa e tij thonë të jenë tejet të kënaqur me pjesëmarrjen në këtë turne, i cili thanë ata mban emrin e një të riu që ka një histori të dhimbshme.

Kurse, Shaip Kastrati dhe Gani Gashi nga klubi i shahut të personave të verbër “ Frashër Dërmaku”, e vlerësuan tejet të rëndësishëm këtë turne memorial, pasi edhe ata ndjehen të barabartë me pjesëmarrësit tjerë.

Këtë turne e shpalli të hapur kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, nën patronatin e të cilit është duke u organizuar kjo ngjarje, e cila sipas tij i shërben masovizimit dhe popullarizimit të këtij sporti në vendin tonë.

Ky turne po vlerësohet mjaft atraktiv për nga interesimi i pjesëmarrësve, gjë që na ka befasuar për të mirë, ka thënë sekretari i FSHK-së, Burhanidin Misini.

Në këtë turne po marrin pjesë rreth 270 shahistë eminentë dhe pasionantë të këtij sporti të vjetër nga mbarë vendi, ndërsa meçet po zhvillohen sipas sistemit zviceran./TV Prizreni/

Asnjë koment

Comments are closed.