18-04-2024

Prizren: U varros Hasibe Alishani-Bllaca, veterane e arsimit dhe krijuese

Në Prizren u varros Hasibe Alishani-Bllaca, veterane e arsimit, veterane e Ballit Kombëtar dhe krijuese, që tërë jetën e vet ia përkushtoi arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të shumta të nxënësve shqiptarë, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Ajo u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare. Rrjedh nga familja Alishani, që është simbol i qëndresës dhe shprehjes së atdhedashurisë, dhe që për shkak të veprimtarisë kombëtare, pas Luftës së Dytë Botërore ishte internuar nga ish-regjimi jugosllav. Ka përjetuar shpirtin e plagosur të qytetarit të Prizrenit nga regjimi sllav,  një pjesë të së cilës e ka paraqitur në katër përmbledhjet e saj me poezi, sidomos në “Vargje të shpirtit”.

Hasibe Alishani – Bllaca, shkollën fillore, Normalen dhe Akademinë Pedagogjike i ka kryer në vendlindje. Që nga viti 1955 – 1990 ushtroi profesionin e shenjtë të mësuesisë. Përmbledhjen e parë me poezi, “Kam një mall” e botoi në nëntor të vitit 2005, ku në kuadër të festave të Nëntorit u bë edhe promovimi. Në Kosovën e pavarur, gjithashtu në nëntor të vitit 2008, njëkohësisht boton përmbledhjet me poezi “Lutem ag e terr” dhe “Medaljon në gji” – poezi për fëmijë.

Ajo vazhdimisht theksonte se e ardhmja e një populli është arsimi, pasi shkollimi i gjeneratave përparonte shtetin tonë./Gazeta e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.