24-11-2024

Prizren: Vdekja tragjike e 18-vjeçarit në vendin e punës, gjykata me vendim ndaj të arrestuarve

Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona, mbikëqyrës e punëtorë të dy firmave, lidhur me rastin e ndodhur më 30 shtator 2023, ku si pasojë e lëndimeve të marra në një vendpunishte në rrugën “William Walker”, ka pësuar me jetë një punëtor 18 vjeç.

Të njëjtit, sipas Policisë, dyshohen për kryerjen e veprës penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës. Zëdhënësi i Policisë rajonale, Vesel Gashi ka theksuar se gjashtë të dyshimtit janë arrestuar pas hetimeve disa ditore të hetuesve në koordinim me Prokurorinë.

Lidhur me këtë rast, gjatë ditës së premte në Gjykatën Themelore të Prizrenit është mbajtur seanca dëgjimore mbi caktimin e paraburgimit. Në të Prokurori i Shtetit, Ramadan Koro, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj N.G, D.K, A.Th, C.K., H.K dhe S.K me pretendimin se pa zbatimin e masave të sigurisë janë përgjegjës për vendosjen, respektivisht zhvendosjen e pllakave-qeramikës, të cilat në ditën kritike nga ballkoni i katit të dytë rrëshqasin dhe bien në kokë të të ndjerit Astrit Krasniqi, që kishte shkuar në vendpunishte për furnizim me material ndërtimor, e ku si pasojë i njëjti ndërron jetë në QKUK.

Blerim Mazreku, avokat i të pandehurit N.G ka theksuar se Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të gjithë të pandehurve pa asnjë bazë ligjore. Për më tepër, sipas tij në mesin e të pandehurve është edhe një person që në ditën kritike ka pësuar lëndime dhe ka mundur të pësojë edhe me jetë, dhe se ne do të ushtrojmë të drejtën e ankesës, tha ai. Ndryshe, numri i vdekjeve në vendet e punës në Kosovë sipas të dhënave në Strategjinë Zhvillimore të Inspektoratit të Punës 2023-2027 mbetet i lartë, madje shumë mbi nivelin mesatar të BE-së dhe nuk ka indicie të rënies./tv Prizreni

Asnjë koment

Comments are closed.