03-05-2024

Prizren: Vihet gurthemeli i shtatores së Skënderbeut

Në Prizren, sot është vënë gurthemeli i shtatores së Skënderbeut. Shtatorja do të vendoset tek rrethrrotullimi pranë stacionit të autobusëve, në hyrje-daljen e rrugës Prizren-Gjakovë, tek ish-qendra tregtare “Ben-af”, shkruan “GazetaePrizrenit”.

Në ceremoninë e organizuar nga Komuna e Prizrenit, ishin qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës, tha se kjo shtatore e heroit tonë kombëtar do të hedh shtat në një vend i cili do të jetë ndër zonat më të mira të qytetit tonë.

Vënia e gurthemelit bëhet në kontekstin e 28 Nëntorit-datës që përkon me disa ngjarje madhore të historisë kombëtare.

Sipas marrëveshjes, financimin e projektit do ta bëjë  Shoqata e intelektualëve shqiptarë “Trojet e Arbrit”,  ndërsa Komuna do t’i kryej punët për rregullimin e hapësirës dhe të ndriçimit.

Sipas kryetarit të Shoqatës “Trojet e Arbërit”, Nue Oroshit, projekti do të financohet nga mjetet që i kanë dhuruar bashkatdhetarët nga Zvicra dhe Gjermania.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta në Prizren, kryetari i OVL të UÇK-së, Selim Krasniqi, vlerësoi si projekti  i bënë nder Prizrenit, edhe pse është pak i vonuar.

Referuar zyrtarëve përurimi i projektit që kap shumën e 70 mijë eurove do të bëhet me 2 mars të vitit që vjen. / GazetaePrizrenit.net /

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.