19-05-2024

Prizren: Vjedhje e rëndë në dyqanin ‘Lorik’, dy të mitur marrin rroba në vlerë të 250 eurove

Një fenomen mjaft shqetësues në Kosovë janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane të qytetarëve, duke shkaktuar humbje e pasiguri, raporton Gazeta Sinjali.

Cak i hajnave së fundi ka qenë edhe dyqani ‘Lorik’ në Prizren, ku dy persona të mitur dyshohen se morën rroba pa paguar.

Sinjali mëson se dy të dyshuarit janë identifikuar më pas nga Policia, përmes pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë që monitorojnë lokalin.

Të miturit janë parë teksa kanë marrë rroba që në tërësi kapin vlerën e rreth 250 eurove dhe të njëjtat i kanë dëmtuar duke i hequr alarmet të cilat i sigurojnë veshmbathjet që të jenë të siguruara nga vjedhja.

Në momentin që janë kapur nga Policia, dy të dyshuarit rrobat e vjedhura i kanë pasur të veshura në trup dhe të njëjtat më pas janë sekuestruar.

Pas arrestimit të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës dhe prindërve të tyre. Para hetuesve policorë ata kanë pranuar se kanë kryer edhe vjedhje tjera.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj dy të miturve është iniciuar rasti ‘Vjedhje e rëndë’.

Asnjë koment

Comments are closed.