28-11-2024

Prizren: Vrasja për borxhin prej 20 euro, i akuzuari thotë se familja e tij s’mund të lëvizë lirshëm shkak i raporteve me atë të viktimës

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, ka përfunduar procedura e provave me dhënien e mbrojtjes nga akuzuari Sylejman Ahmeti, i cili tha se familja e tij nuk mund të lëvizë lirshëm pasi nuk i ka rregulluar raportet me familjen e tani të ndjerit.

Ahmeti po akuzohet se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020, në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës për shkak të një borxhi prej 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Ahmeti ka thënë se familja e tij kanë tentuar të rregullojnë raportet me familjarët e të ndjerit Sh.K dhe t’i kërkojnë falje, por që ata nuk kanë pranuar një gjë të tillë dhe se për këtë ai tha se familja e tij nuk mund të lëvizin lirshëm.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Teuta Krusha, se a është e vërtetë se gjatë bisedës mes tani të ndjerit Sh.K dhe Nijazi Ahmetit ka pasur fyerje dhe sharje, i akuzuari Ahmeti ka pohuar se mes tyre ka pasur mosmarrëveshje por që nuk e di arsyen e kësaj.

Ai ka shtuar se tani është në dijeni se kjo mosmarrëveshje ka qenë për shkak të borxhit për punimet e kryera më herët.

Tutje, ai ka mohuar faktin se veprimet të cilat i ka bërë ditën kritike të kenë qenë arsyeja e borxhit që i ndjeri Sh.K i kishte pasur Nijazi Ahmetit.

Po ashtu, ai tha se në ditën kritike ka kontaktuar me tani të ndjerin Sh.K dhe i ka kërkuar që të takohen për të sqaruar problemin që kishte me vëllanë e tij Nijaziun.

“Unë e kam lutur Sh. që të takohemi të pijmë kafe dhe të bisedojmë për çfarë problemi bëhet fjalë, mirëpo Sh. nuk e ka pranuar ofertën time”, tha i akuzuari Ahmeti.

I pyetur se a është shkaktar vëllai i tij Nijaziu për vrasjen që ka ndodhur në ditën kritike, Ahmeti ka thënë se i njëjti nuk është shkaktar për këtë vrasje.

“Jo nuk është, nuk e kisha ba as për Nijazin as për askënd”, tha Ahmeti.

Ndërsa, në pyetjet e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Raima Elezi lidhur me borxhin që kishte i ndjeri Sh.K ndaj Nijaziut, i akuzuari tha se ashtu siç kishte deklaruar vëllai Nijaziu para trupit gjykues, ai ia ka kërkuar borxhin e pastaj kanë vazhduar me sharje e fyerje.

Tutje shtoi se Nijaziu nuk kishte dalë në takim që paraprakisht kishte lënë me të ndjerin Krasniqi sepse sipas tij Shaipi ka pasur për qëllim që ta rrihte atë dhe se këtë gjë e ka kuptuar më vonë kur ka hyrë në burg.

Kurse, në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Luan Berisha nëse i kujtohet momenti kur kishte shkuar të marrë armën tek kamioneta, i akuzuari tha se nuk ka shkuar në kamionetë me atë qëllim por që të shkojë në shtëpinë e tij.

Gjithashtu, ai tha se para veprimit përfundimtar nuk ka pasur qëllim të keq përveç se të merren vesh mes vete.

Po ashtu, ai tha se në ditën kritike ka pasur armën e tij në kamionetë për arsye se në fshat ka shumë egërsira dhe se e ka mbajtur vetëm në rastet kur ka shkuar të ruajë livadhet, arat dhe fushat dhe se natën kritike ka pasur ndërmend të bëjë një gjë të tillë.

Asnjë koment

Comments are closed.