20-04-2024

Prizren: Zejet e dikurshme drejt zhdukjes (Foto)

Prizreni dikur ka qenë i njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në rajon për zejet karakteristike. Pasi koha i ka nxjerrë nga përdorimi, shumë prej tyre tashmë i takojnë historisë së veprimtarive zejtare të qytetit.

Njëra nga rrugët e shumta të Prizrenit,  “Saraçët” që ndodhet në pjesën e vjetër të qytetit, përballë  “Urës së Gurit”, është emërtuar pikërisht shkaku i farkëtarëve të shumtë, si dhe zejeve të tjera, të cilat ishin nëpër dyqanet e vjetra njëkatëshe, ngjitas njeri-tjetrit me arkitekturën e tyre karakteristike.

Kohë pas kohe,  gjërat kanë ndryshuar,  duke pakësuar dyqanet e vjetra, të cilët tashmë kanë ndryshuar edhe pamjen. Shumica syresh tashmë janë dykatëshe, të riparuara e rindërtuara, ndonëse janë munduar t’i ruajnë imazhet e vjetra, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Në Prizren, jo edhe shumë larg në kohë, ka ekzistuar një numër i dyqaneve, pronarët e të cilëve ishin të njohur për prodhimin karakteristik të brisqeve, kacave, pastaj të magjeve, të qilimave, qelesheve, filigranët, samarxhinjtë, pastaj pushkë punuesit dhe veprimtaritë tjera kësisoj.

Njërin nga zanatet e lashta, po përpiqen ta mbajnë gjallë artizanët e filigranit.

Ky zanat i ka dhënë shumë famë Prizrenit gjatë shekujve. Nuk ka një datë të saktë se kur shqiptarët në Kosovë filluan të punojnë me argjend, por historianët thonë se kjo ndodhi ndoshta dikur në shekullin e 18-të.

Prizreni është një nga qendrat kryesore të Kosovës dhe si qytet me vlera historike dhe kulturore, përbën një atraksion për vizita nga turistët, të cilët janë bukur të shumtë, sidomos gjatë sezonit veror, përfshirë këtu edhe kohën e mbajtjes së festivalit ndërkombëtar të filmit “Dokufest”.

Turistët që vizitojnë Prizrenin janë ndarë në ata të huaj dhe diaspora shqiptare. Në fokus  të interesimit të tyre janë pikërisht edhe dyqanet dhe prodhimet artizanale.

Nga rreth 4.500 veprimtari afariste sa mendohet që aktualisht funksionojnë në komunën e Prizrenit, në këtë numër tashmë bëjnë pjesë vetëm edhe disa dyqane të vjetra, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Në shoqatën e zejtarëve, thonë se numri zejtarëve tashmë është zvogëluar aq sa ata mund të numërohen në gishta.

Në Prizren traditë ka qenë edhe punimi i qelesheve tradicionale shqiptare, por tashmë koha ka bërë që kjo zeje t’i mbeten historisë, pasi edhe qytetarët, gjithnjë e më pak mbajnë plisa.

Kohën e dikurshme, të cilën shumëkush e vlerësonte si “Lezet i Perzerenit” tashmë ta kujton vetëm një dyqan, që ndodhet në ballë të rrugës, por që ka ruajtur traditën e punimit të brisqeve nga brirët e buallicave dhe të deshve. Punimi me dorë i brisqeve, që ishin një mjet i adhuruar në xhepat e njerëzve, dikur e bënte të njohur Prizrenin.

Për të mbijetuar,  pronarët e dyqaneve zejtare tregojnë se tashmë janë detyruar ta përziejnë veprimtarinë, duke mbajtur edhe artikuj modern. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.