Prizreni bëhet me Monumentin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Prej sot, Prizreni bëhet me Monumentin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Në ora 13:00 është paraparë ceremonia e zbulimit të monumentit, ku përpos autoriteteve lokale pritet të marrin pjesë dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e qytetarë, përfshirë edhe ata nga mërgimi, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

Monumenti ndodhet tek rrethrrotullimi pranë stacionit të autobusëve, në hyrje-daljen e rrugës Prizren-Gjakovë, tek ish-qendra tregtare “Ben-af”.

Fillimisht ishte propozuar ky lokacion, por propozim i komisionit të ekzekutivit prizrenas, pat shkaktuar reagime nga pjesëtarët e shoqërisë civile, të cilët kanë përkrahur idenë që shtatorja për Skënderbeun, duhej ngritur në qendër të Prizrenit.

Organi më i lartë lokal, Kuvendi Komunal, kohë më parë ka miratuar vendimin për ngritjen në Prizren të shtatores së Skënderbeut dhe bustin e Komandantit legjendar, Adem Jashari.

Zbulimi bëhet në kontekstin e 28 Nëntorit-datës që përkon me disa ngjarje madhore të historisë kombëtare.

Sipas projektit, parashihet që shtatorja e Skënderbeut të këtë lartësi prej 3.3 metrash, me gjerësi prej 1 metër.

Financimin e projektit e ka bërë Shoqata e intelektualëve shqiptarë “Trojet e Arbrit”, ndërsa Komuna ka kryer punët për rregullimin e hapësirës dhe të ndriçimit.

Po ashtu në Prizren, sot është inauguruar edhe bustit i Skënderbeut në Katedralen e “Zojës Ndihmëtare”, të organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë. /GazetaePrizrenit.net/