13-07-2024

Prizreni dhe krahinat etnografike të tij

Nga Nexhat Çoçaj  
Prizreni me të drejtë konsiderohet kryeqyteti shpirtëror i trojeve shqiptare, e nga disa autorë njihet edhe si qyteti muze për gjithë hapësirën shqiptare. Ky epitet i është dhënë Prizrenit, për rëndësinë historike të tij, për ngjarjet dhe për trashëgiminë materiale, që është gjetur dhe për një pjesë e madhe të shkatërruar nga regjimet okupuese ndër shekuj. Për epitetet e Prizrenit, rëndësi të madhe kanë edhe njësitë krahinore, që janë pjesë përbërëse të Prizrenit. Zonat krahinore të Prizrenit, me larushinë e traditave, e bëjnë edhe më të pasur trashëgiminë shpirtërore të tij

Hapësira gjeografike, ku shtrihet sot Prizreni, përfshi këtu tani edhe Arbanën, që deri vonë konsiderohej si vendbanim në vete e pas vitit 2008 sipas Statutit të Komunës së Prizrenit Nenit 6 komunën e përbëjnë: qyteti, fshatrat dhe lagjet urbane. Andaj, sipas këtij neni të statusit, kjo para lagje llogaritet si lagje urbane e Prizrenit. Në përgjithësi, Prizreni si qendër urbane me lagjet e veta, varësisht nga viset që kanë ardhur banorët dhe janë vendosur, kanë sjellë në njëfarë mënyre edhe kulturën e asaj krahine etnografike. Në këtë kontest pos njësive krahinore, që gjeografikisht e administrativisht i takojnë Komunës së Prizrenit, duhet veçuar edhe njësinë krahinore të Opojës të Gorës dhe të Prenk Rupit, me të cilat krahina Prizreni tradicionalisht ka pasur lidhje me Prizrenin. Dhe së këndejmi ka trashëguar një pjesë të madhe të trashëgimisë shpirtërore të këtyre krahinave e që duhet theksuar se në jetën e banorëve të Prizrenit, hetohen edhe pjesë të trashëgimisë shpirtërore të këtyre zonave krahinore, edhe pse që më vonë janë inkorporuar në trashëgiminë shpirtërore qytetare, që banorët prizrenas, dëshirojnë të njihen me emërtimin tradicional kasabali- qytetarë, kurse nga banorët e regjioni thirren si shehërli.

Duke konsideruar qytetin e Prizrenit si mjedis specifik etnografik, me tradita dhe trashëgimi specifike, edhe pse nuk i takon asnjë njësie etnografike, për shkak të specifikave që ka, në këtë punim do ta trajtojmë Prizrenin si njësi të veçantë etnografike. Si i tillë Prizreni, ka një traditë të lashtë të kulturës shpirtërore, kulturë kjo që dëshmon lashtësinë e popullsisë së saj shqiptare, pavarësisht përpjekjeve të regjimeve të ndryshme, që u përpoqën ta tjetërsojnë etnitetin e popullsisë së Prizrenit si dhe trashëgiminë shpirtërore të tij. Andaj, në vazhdim Prizrenin do ta prezantojmë si një njësi të veçantë etnografike me specifikat e veta, për të parë më afër ruajtjen dhe kultivimin e traditave shqiptare. Në fakt banorët e Prizrenit, lindin, martohen, jetojnë dhe vdesin shqip, pavarësisht se disa prej tyre flasin turqisht dhe gjuhën torbeshe e gorane jo boshnjakisht. Trashëgimia shpirtërore e këtyre banorëve është tipike shqiptare.
Për ndarjen e vendbanimeve të Komunës së Prizrenit në krahina etnografike janë marrë disa kritere siç janë:
– traditat e ceremonive familjare;
– gjuha;
– veshjet tradicionale;
– festat kalendarike dhe fetare;
– marrëdhëniet ekonomike;
– kriteri gjeografik etj.
Por, jo çdo herë kriteret e lartcekura përputhen me shtrirjen gjeografike të vendbanimeve, sepse në mes tyre janë edhe zona të ndërmjetme etnokulturore, që i shoqërojnë krahinat etnografike të Komunës së Prizrenit dhe e bëjnë më të vështirë ndarjen e saktë të tyre. Shumë nga vendbanimet e Komunës së Prizrenit mund të konsiderohen zona të ndërmjetme etnografike, të cilat në këndvështrimin gjeografik shtrihen në territor të një krahinore tjetër etnografike, por sa i përket trashëgimisë shpirtërore, deklarimeve të banorëve, i takojnë një njësie tjetër etnografike, përkatësisht asaj që deklarohen vet banorët. Këto fshatra gjeografikisht nuk përkojnë me kufijtë etnografik të atyre krahinave ku janë të grupuara, por kriteret, që ne i kemi marrë për bazë e dëshmojnë përkatësinë e tyre. Të tilla fshatra në Komunën e Prizrenit pothuajse kemi në të gjitha krahinat në kufi me krahinat tjera etnografike. Në këtë aspekt, fshatrat që numërohen si pjesë e një krahine tjetër e shtrihen në një krahinë tjetër janë fshatrat: Nashec, Tupec, Lutogllavë, Poslisht, Atmaxhë, Vlashnje, Petrovë, Kobajë etj., për të cilat fshatra, si zona të ndërmjetme do të flasim në vazhdim të këtij punimi.
Në aspektin etnografik pjesa rurale e territorit të Komunës së Prizrenit, ndahet në gjashtë krahina etnografike. Nga këto gjashtë krahina vetëm dy prej tyre shtrihen vetëm në territorin e Komunës së Prizrenit (Gryka e Sharrit dhe Vërrini), ndërsa krahinat etnografike e Anamalit dhe Anadrinia, shtrihen edhe në komuna tjera të Republikës së Kosovës (Suharekës, Mamushës dhe Rahovecit), ndërsa krahina etnografike e Hasi pos shtrirjes edhe në Komunën e Gjakovës, pjesa tjetër shtrihen edhe në territorin e Shqipërisë administrative. Dhe krahina etnografike e Lumës, e cila pos në territorin e Prizrenit, pjesa tjetër shtrihet në Shqipëri. Me këtë rast duhet theksuar se gjatë të kaluarës kultura e këtyre njësive krahinore ka pasur dallime më të mëdha, viteve të fundit e në veçanti pas ardhjes në masë së popullsisë së këtyre krahinave në qytet, ka nisë të përafrohen shumë nga traditat e këtyre njësive.
Me qëllim, që të kemi një parafytyrim më të plotë të krahinave etnografike të Komunës së Prizrenit, po sjellim edhe disa të dhëna demografike, përmes të cilave do t’i kuptojmë më lehtë të dhënat për trashëgiminë shpirtërore të Prizrenit me rrethinë. Radhitjen e krahinave po e japim sipas rendit alfabetik:
1. Anadrinia, 2. Anamali i Prizrenit, 3. Gryka e Sharrit, 4. Hasi,
5. Luma, dhe 6. Vërrini.
Numri i shtëpive dhe popullsisë së Anadrinisë
sipas regjistrimit të vitit 2011
Nr. Fshati Nr. shtëpive popullsia
1. Caparci 117 848
2. Krusha e Vogël 134 937
3. Landovica 152 1149
4. Medveci 153 1062
5. Novaka 27 88
6. Pirana 335 2417
7. Randobrava 167 1142
8. Sërbica e Epërme 17 179
9. Sërbica e Poshtme 109 674
10. Smaçi 36 375
11. Shpenadia 116 1168
12. Trepetnica 18 138
13. Velezha, 75 460
14. Zojzi 105 828
Gjithsej 1.561 11.465
Numri i shtëpive dhe popullsisë së Anamalit të Prizrenit
sipas regjistrimit të vitit 2011
Nr. Fshati Nr. shtëpive popullsia
1. Gërnçari 262 1318
2. Gornjasella 64 292
3. Korisha 674 5279
4. Lubizhda 1081 5982
5. Lutogllava 169 1218
6. Malësia e Re 85 742
7. Skorobishti 220 1128
Gjithsej 25.55 15.959
Numri i shtëpive dhe popullsisë së Grykës së Sharrit
sipas regjistrimit të vitit 2011
Nr. Fshati Nr. shtëpive popullsia
1. Dojnica 0 0
2. Drajçiqi 45 151
3. Jabllanica 85 351
4. Llokvica 86 339
5. Lubinja e Epërme 373 1925
6. Lubinja e Poshtme 298 1227
7. Manastirica 232 1107
8. Mushnikova 228 1133
9. Nëpërgoshti 141 579
10. Novosella 61 309
11. Pllanjani 218 1104
12. Pouska 110 684
13. Reçana 205 951
14. Srecka 34 69
15. Struzha 27 102
16. Zhivinjani 0 0
Gjithsej 21.43 10.031
Numri i shtëpive dhe popullsisë së Hasit
sipas regjistrimit të vitit 2011
Nr. Fshati Nr. shtëpive popullsia
1. Breg-Drini /// ///
2. Dedaj 71 619
3. Gorozhupi 30 290
4. Gjonaj 510 4818
5. Kabashi i Hasit 83 882
6. Karashëngjergji 98 1099
7. Kojushi 68 509
8. Krajku 181 1786
9. Kushnini 152 2110
10. Lubizhda e Has. 288 2719
11. Lukinaj 61 558
12. Mazrreku 126 1077
13. Milaj 3 37
14. Planeja 92 687
15. Romaja 303 2747
16. Tupeci 50 398
17. Zymi 208 1872
Gjithsej 23.24  22.208
Numri i shtëpive, popullsisë së Lumës
sipas regjistrimit të vitit 2011
Nr. Fshati Nr. shtëpive popullsia
1. Dobrushti 75 495
2. Muradema 53 515
3. Shkoza 100 778
4. Vërmica 89 661
5. Zhuri 842 5909
6. Petrova 139 1194
Gjithsej 1209 9552
Numri i shtëpive dhe popullsisë së Vërrinit
sipas regjistrimit të vitit 2011
Nr. Fshati Nr. shtëpive popullsia
1. Atmaxha 233 1686
2. Billusha 221 1495
3. Hoça e Qytetit 531 3410
4. Jeshkova 72 434
5. Grazhdaniku 115 884
6. Kobajë 0 0
7. Kushtendili 0 0
8. Leskoveci 24 134
9. Lezi 1 2
10. Lybeqeva 221 1602
11. Nasheci 177 1379
12. Poslishti 212 1520
13. Vlashnja 222 1700
Gjithsej 2.029 14.244
Qyteti i Prizrenit kishte 16.164 bashkësi familjare me 85.119 banorë.
Sa i përket numrit të anëtarëve të familjeve në bashkësi ekonomi familjare, sipas regjistrimit të viti 2011 rezulton se në fshatrat e Hasit mesatarisht në një bashkësi familjare jetojnë 9.55 anëtarë, në Lumë 7.70 anëtarë, në Anadrini 7.34 anëtarë, në Vërri 7.20, në Anamal 6.24 anëtarë, në Prizren dhe Arbanë 5.26 dhe numri më i vogël rezulton të jetë në Grykën e Sharrit (Zhupë) me 4.68 anëtarë në një bashkësi familjare.

Asnjë koment

Comments are closed.