24-11-2024

Prizreni do të bëhet edhe me një muze

Prizrenit po i shtohet edhe një muze. Komuna e Prizrenit para disa muajsh ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me Fondacionin Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij – CHëB Kosova, për funksionalizimin e muzeut të Nënës Terezë, transmeton Gazeta e Prizrenit.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka njoftuar se ky projekt rrjedh nga marrëveshja kryesore “Shtegu kulturor Gjurmëve të Nënës Terezë”, i cili është bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut në kuadër të alokimeve IPA II 2014 dhe 2015.

“Objekti për muzeun e Nënës Terezë është ndërtuar në vitin 2010, mirëpo nuk janë përfunduar të gjitha punimet në të. Në takim u informova për mbarëvajtjen e projektit dhe intervenimet të cilat do të bëhen, ku përveç intervenimeve të detyrueshme në fasada, kulm, dysheme, mure dhe instalimeve të ngrohjes e ventilimit, në këtë objekt do të vendoset edhe lifti për t’i mundësuar çasje personave me aftësi të kufizuara”, ka shkruar ai.

Përmes faqes së tij në facebook, ai ka deklaruar se së shpejti do të bëhet edhe thirrja publike për mbledhjen e artefakteve dhe informatave rreth jetës dhe veprës së Nënës Terezë. /GazetaePrizrenit.net

Fotografia e Mytaher Haskuka

Asnjë koment

Comments are closed.