Prizreni me aktivitet tradicional për sensibilizim kundër kancerit të gjirit
Me rastin e shënimit të muajit kundër kancerit të gjirit, të dielën në Prizren është organizuar aktiviteti vetëdijesues ” Race for the Cure Kosova 2021″.
Pjesë e këtij aktiviteti ishin gratë të cilat i kanë mbijetuar luftës kundër kancerit të gjirit, qytetarë, mjekë dhe përfaqësues të institucioneve. Zonja Shemsije Thaçi nga Gjilani, tregon si ia ka dalur që ta mposhtë sëmundjen e rrezikshme të kancerit, duke përçuar mesazhe ndaj grave që mos të neglizhojnë, por me kohë të bëjnë kontrolle për diagnostikimin e hershëm të sëmundjes.
Drejtori i repartit të Onkologjisë, mjeku i mirënjohur dr. Ilir Kurtishi, i cili tha se është kënaqësi të gje ndesh mes heroinave të cilat e kanë mposhtur sëmundjen e kancerit të gjirit, dhe tha se institucionet shëndetësore janë duke u angazhuar maksimalisht në avancimin e trajtimit të kësaj sëmundje.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e vlerësoi tejet të rëndësishme këtë ngjarje, e cila duhet të na shërbejë për ngritjen e vetëdijes për të luftuar këtë sëmundje të rëndë, që fatkeqësisht ka prekur dhe familjarët e mi, theksoi ai. Pjesë e kësaj ngjarje ishte edhe ish-Presidentja, Atifete Jahjaga.
Aktivitetin e shpalli të hapur, Violeta Pirana, në emër të organizatorit nga “ Race for the cure Kosova 2021”, ngjarje kjo e cila i dedikohet të mbijetuarave nga sëmundja e kancerit të gjirit, atyre që trajtohen dhe të gjithë atyre që kanë humbur betejën jetësore me këtë sëmundje. Pjesë e këtij aktiviteti ka qenë marshi i pjesëmarrësve nga Shatërvani deri tek Shtëpia e Bardhë, shpërndarja e bluzave dhe fletushkave vetëdijesuese. Pas marshit, është bërë hapja e zyrës së organizatës “Renesansa” në Prizren, e cila merret me përkrahjen e grave të diagnostikuar me kancer. /Prizreni tv