Prizreni me ekip analizues të gjendjes së llogarive të arkëtueshme
Komuna e Prizrenit ka iniciuar veprimet për krijimin e një ekipi që do të analizojë gjendjen ekzistuese të llogarive të arkëtueshme. Detyrë e këtij ekipi, sipas zyrtarëve komunalë, do të jetë verifikimi i llogarive të arkëtueshme, përpilimi i një raporti të hollësishëm dhe ofrimi i rekomandimeve për lidershipin komunal për adresimin e problemeve në këtë drejtim.
Në fund të vitit shuma e llogarive të arkëtueshme apo borxheve që qytetarët e palët kanë ndaj Komunës ka qenë mbi 17 milionë euro, ani se vite më parë ishte zbatuar edhe Ligji për faljen e borxheve publike. Ndërsa shuma e llogarive të arkëtueshme për vitin 2018 sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Financave ende nuk është përllogaritur, shkruan sot Koha Ditore.
“Të dhënat e llogarive të arkëtueshme për vitin 2018 po përpunohen. Kjo shumë në vitin 2017 ka qenë rreth 17.5 milionë euro”, ka thënë drejtori i Financave, Ertan Simitçi. Sipas tij, vlera e lartë e llogarive të arkëtueshme ka shtyrë kryetarin e Komunës që të iniciojë krijimin e një ekipi që do të merret me analizën e gjendjes dhe me ofrimin e rekomandimeve për ekzekutivin dhe Kuvendin e Komunës së Prizrenit.