Prizreni me komision për monitorimin e përfituesve nga buxheti për “Politikat zhvillimore”
Kuvendi Komunal (KK) i Prizrenit, ka miratuar propozim-vendimin për formimin e komisionit për monitorimin dhe mbikëqyrjen e subjekteve përfituese të kodit buxhetor “Politikat zhvillimore”, ku bën pjesë edhe KF “Liria”.
Paraprakisht në mbledhjen e djeshme të KK-së ka pasur një debat, ndërsa pro komisionit kanë qenë edhe anëtarë të subjekteve në koalicionin qeverisës, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Vlera e fondit për “Politikat zhvillimore” të Komunës së Prizrenit është gati 1 milion euro.
Në komision janë shefat e grupeve të subjekteve politike në KK. Pjesë e tij janë: Simir Krasniqi, Adem Shabanaj, Haziz Hodaj, Ilir Baldedaj, Sinan Alia, si dhe përfaqësues të partive të komunitetit turk e boshnjak. Një përfaqësues ndërkaq e ka edhe kryetari i komunës.
Nisma për këtë ishte marrë një muaj më parë, nga KK në mbledhjen e jashtëzakonshme kushtuar gjendjes në klubin “Liria” pas rënies nga Superliga dhe mënyrës së financimit.
Për formimin e komisionit pati 27 vota, ndërsa dy ishin kundër. /GazetaePrizrenit.net /