Kësisoj është gjendja në dy anët e rrugës qendrore të Prizrenit, që mban emrin e komandantit legjendar “Adem Jashari” , që nis nga hotel “Theranda” dhe shkon deri në “Bazhdarhane”.
Kjo është njëra nga rrugët më të rëndësishme të qytetit, që për shkak të koncentrimit të dyqaneve zejtare dhe tregtare, njihet edhe si zemra e ekonomisë së Prizrenit, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Trotuari kalon edhe përballë ndërtesës, në të cilën ndodhet hyrja zyrtare e selisë së kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka.
Trotuari i rregulluar në kohën e ish-kryetarit Eqrem Kryeziu, tashmë është deformuar dhe shumë pllaka janë thyer, sa jo vetëm që japin një imazh të keq për qytetin, por është vështirë edhe të ecësh, sidomos për femra.
Lexo edhe:
Qytetarët Agim Krasniqi e Safet Gashi, që thonë se ecin vazhdimisht në këtë rrugë, tregojnë se është vështirë sidomos në ditët kur bie shi, për shkak se shkelja në to të shkakton stërpikë, ndërsa ka pasur raste edhe kur fëmijët janë rrëzuar.
Kryetari i Odës së Ndërmarrësve dhe Zejtarëve “Oda Prizrenit”, Afrim Tejeci thotë se në këto kohëra të vështira të të bërit biznes, gjendja infrastrukturore në rrugën ”Adem Jashari” është shumë shqetësuese.
“Kjo pjesë ka nevojë urgjente për ndërhyrje jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por edhe të ketë ndriçim adekuat, pasi vetëm dy poqe janë në funksion. Komuna përveç premtimeve asgjë konkrete nuk bëri këtej për lehtësimin e të bërit biznes”, ka thënë ai, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Sipas tij, Komuna duhet të ketë prioritet mbi prioritete ketë pjesë vitale të qytetit.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës në Prizren, disa herë e kanë kritikuar qeverisjen aktuale, duke thënë se ndonëse rrugët dhe trotuaret në Prizren janë në gjendje të mjerueshme, në mungesë të vizonit, pushteti lokal brenda dy vitesh i ka kthyer në Prishtinë mbi 8 milion euro të pashpenzuara. /Gazeta e Prizrenit