25-04-2024

Prizreni me vetëm një drejtoreshë, Haskukës ia kujtojnë premtimin për 50 % femra

Mbetjen e Komunës së Prizrenit me vetëm një femër në qeverisjen komunale e ka kritikuar, asamblistja e PDK-së, Sherife Balaj, duke ia kujtuar kryetarit Mytaher Hasuka, shkeljen e premtimit gjatë fushatës zgjedhore, për angazhimin e më shumë femrave në përbërjen e ekzekutivit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Pas lirimit nga detyra të ish-drejtoreshës së Shëndetësisë, Flaka Siqeca për siç është raportuar vijimin e studimeve post-diplomike në Mbretërinë e Bashkuar, Komuna e Prizrenit ka mbetur me vetëm një drejtoreshë. Emërimi i një ekonomisti Visar Shehut, në këtë pozitë, pos që ndryshoi traditën e deritashme, kur Drejtorinë e Shëndetësisë e kanë udhëhequr mjekët, po ashtu ndryshoi edhe strukturën gjinore në qeverisjen Haskuka.

Pos Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, që udhëhiqet nga Sevil Kazaz (partia turke KDTP), 12 drejtoritë tjera udhëhiqen nga meshkujt.

Asamblistja e PDK-së, Sherife Balaj, në profilin e saj të facebookut, ia ka kujtuar Hasukës, premtimin e fushatës zgjedhore, kur deklaronte se do të ketë 50 % femra në përbërjen e ekzekutivit. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.