Në prag të ndërrimit të viteve, Prizreni duket në një atmosferë festive.
Në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, në qytet ka pasur më pak lëvizje se herëve të tjera, derisa një numër i qytetarëve shfrytëzuan kohën e mbetur për furnizime.
Për dallim nga dy vitet e mëparshme, të karakterizuara nga masat pandemike, shkaku i Covid-19, kësaj radhe qyteti ka dekorin e zakonshëm të festës.
Duket se natën e ndërrimit të viteve, prizrenasit do ta kalojnë kryesisht në shtëpitë e tyre.
Një pritje e tillë, madje me vetëm anëtarët e ngushtë të familjes është karakteristikë e viteve të fundit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Për dallim nga vitet tjera, kur disa sosh me gjendje më të mirë ekonomike, ndërrimin e moteve, sidomos natën e dytë e të tretë e pritnin në lokale hoteliere, sivjet nga shtëpia në fokus është përcjellja e programeve televizive, të cilat tashmë përmes rrjeteve kabllore janë të shumta.
Edhe kësaj radhe një pjesë të kohës, ata pritet ta kalojnë nëpër telefonat e mençur, duke përcjellë rrjetet sociale dhe postuar foto me urimet më domethënëse.
Qytetarët po urojnë njëri-tjetrin për një vit sa më të mbarë, derisa aty këtu dëgjohen edhe shkrepje të fishekzjarrëve.
Në kontekstin e ditëve festive, autoritetet kanë paralajmëruar marrjen e masave të nevojshme në institucionet kyçe, si polici, emergjencë, zjarrfikësit, etj.
Sonte, në sheshin “Shatërvan” duke filluar në orën 21:00, do të ketë një “Rock Koncert festiv” me artistë prizrenas dhe me mysafirë special!
Në kontekstin e URIMIT, edhe portali “Gazeta e Prizrenit” të gjithë lexuesve besnik, por edhe qytetarëve të tjerë ua uron një vit sa më të mbarë dhe të suksesshëm!
GËZUAR 2023!