Në prag të ndërrimit të viteve, Prizreni duket në një atmosferë festive. Në mbrëmje në qytet duken disa qytetarë, të cilët bëjnë edhe furnizimet e gjësendeve të mbetura, ndërsa urojnë njëri-tjetrin për një vit të mbarë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Qyteti tashmë është mbështjellë në dekorin e festës. Edhe sivjet shumica e prizrenasve, natën e ndërrimit të vitit do ta kalojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa një numër i vogël, kryesisht ata me gjendje më të mirë ekonomike, pritet që këtë ta bëjnë nëpër lokale hoteliere, që kanë organizuar mbrëmje muzikore me këngëtarët më të njohur të estradës sonë.
Për dallim nga vitet tjera, kur tradicionalisht ata që ndërrimin e moteve e presin në shtëpi, përcjellin programet televizive, të cilat tashmë përmes rrjeteve kabllore janë të shumta, edhe kësaj radhe një pjesë të kohës, ata pritet ta kalojnë nëpër telefonat e mençur, duke përcjellë rrjetet sociale dhe duke postuar foto me urime, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Sipas disa pronarëve të restoranteve, mbrëmjen e 1 janarit ka më tepër rezervime familjare.
Autoritetet lokale ndërkaq, kanë paralajmëruar marrjen e masave të nevojshme në institucionet kyçe, si polici, emergjencë, zjarrfikësit etj, në kuadër të festës.
Në prag të Vitit të Ri tashmë është bërë zakon, që nëpër rrugë e sheshe, nga të rinj e fëmijë të hidhen mjete piroteknike. Komuna e Prizrenit ka ndaluar përdorimin e tyre, në vendet e hapura publike përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe. Kjo urdhëresë vlen deri më 15 janar, përveç 31 dhjetorit nga ora 23:00 – 00.30.
Në kontekstin e URIMIT, edhe portali “Gazeta e Prizrenit” të gjithë lexuesve të saj besnik, por edhe qytetarëve të tjerë ua uron një vit të mbarë dhe të suksesshëm!
GËZUAR 2019!