20-05-2024

Ndër sukseset e vitit, Haskuka radhit edhe ndalesën e tenderëve të ish-qeverisjes Muja

Derisa e ka vlerësuar si të suksesshëm vitin që po mbaron, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ndër të tjera, ka përmendur edhe ndalimin e projekteve, që siç ka thënë rrezikonin qenien e qendrës historike të Prizrenit.

Ndonëse nuk ka përmendur konkretisht, ndër projektet të cilat në vitin e parë të qeverisjes nuk i realizoi Haskuka, është “Teleferiku për në Kala”, që ia la në trashëgim ish-qeverisja e Ramadan Mujës, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Ndryshe në urimin për Vitin e Ri, përmes profilit të tij në “facebook”, kreu i Komunës, ka uruar për më shumë optimizëm e vetëbesim në 2019-ën.

“Të nderuar qytetarë,

Në fund të 365 ditëve të vitit 2018 dua të reflektojmë në të kaluarën dhe të shikojmë vitin 2019 me më shumë optimizëm e vetëbesim.

Viti 2018 për Komunën e Prizrenit ishte vit i sfidave të mëdha, por edhe vit i sukseseve. Komuna arriti që gjatë këtij viti të mënjanojë barriera dhe pengesa të mëdha, si ishte ajo e vendimit gjyqësor që ia bllokonte komunës dhënien e lejeve ndërtimore. Përveç kësaj, arritëm t’i ndalim projektet tenderistike që e rrezikonin qenien e qendrës historike të Prizrenit. Edhe pse të përballuar me sfida, arritëm që ta stabilizojmë gjendjen në Komunë dhe tani jemi të gatshëm që t’i implementojmë projektet zhvillimore me interes për të gjithë qytetarët e Komunës.

Ashtu si me raportin e 100 ditorit apo raportin 6 mujor, Komuna ka përgatitur edhe raportin vjetor, i cili ilustron gjithë punën e bërë në Komunën e Prizrenit. Pa mëdyshje, ne nuk do të arrinim këto suksese pa ndihmën dhe pjesëmarrjen tuaj, prandaj me këtë rast dua të falënderoj gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit.

Së bashku do të punojmë që të përmirësojmë kushtet e jetesës, cilësinë në arsim dhe shëndetësi, të ruajmë ambientin dhe të zbukurojmë rrethin ku jetojmë me gjelbërim.

Ne si Komunë kemi bërë shumë punë në përmirësimin e kushteve për të zhvilluar bizneset, gjë që mendoj do të ndikojë në hapjen e prodhimtarive të reja dhe rritjen e punësimit.

Nëse punojmë bashkë dhe në përputhje me ligjin, ne mund të bëjmë Prizrenin të gjelbër, të pastër, të bukur dhe një vend ku ka zhvillim dhe punësim.

Së bashku me ju do të bëjmë Prizrenin komunën më të mirë në Kosovë, por edhe në rajon. Një vend ku të rinjtë nuk duan të ikin, por duan të punojnë këtu dhe të kontribuojnë në zhvillim.

Së fundi dua të uroj që viti 2019 të sjell paqe, shëndet dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Prizrenit, Kosovës dhe të botës. Shëndet dhe lumturi!”, ka shkruar Haskuka./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.