23-11-2024

Prizreni, një qytet i preferuar turistik

Falë një infrastrukture kulturore që përpiqet të jetë në funksion të ruajtjes, kultivimit dhe prezantimit të vlerave të trashëgimisë së kulturës materiale e shpirtërore, Prizreni shansin e vet e projekton edhe në zhvillimin e turizmit si një veprimtari ekonomike profitabile.

Prizreni është qyteti i dytë për nga madhësia, pas Prishtinës si kryeqendër. Ky  tashmë është “Kryeqyteti historik” i Kosovës.  Jo vetëm nga vendorët, por edhe nga të huajt, ky vlerësohet si qyteti më i bukur ndër viset shqiptare, ndërsa për këtë edhe është rekomanduar të vizitohet, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Prizreni ka një potencial të lakmueshëm vlerash kulturore të trashëguara nga periudha të ndryshme historike. Me 24 lokalitete arkeologjike të identifikuara, me 39 objekte kulti të krishtera, 46 objekte sakrale islame, me mbi 74 objekte me karakteristika të theksuara të arkitekturës folklorike, Prizreni është bërë një qendër e frekuentuar turistike.

Rezultate imazhesh për Prizreni nder me te vizituarit

Lidhja Shqiptare e Prizrenit(LSHP), Kalaja që ngritet në kodrën mbi qytet, Xhamia e Sinan Pashës, Kisha e Shën Premtes, Manastiri i Kryeengjujve, Kisha e Shën Shpëtimtarit, Katedrala e Zonjës Ndihmëtare, Hamami i Gazi-Mehmet Pashës, Ura e Vjetër e Gurit, janë vetëm një pjesë e trashëgimisë së kulturës materiale në Prizren.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka njoftuar se në tremujorin e dytë të këtij viti, numri i vizitorëve në hotelet në Kosovë ishte 68. 609, prej tyre 36.45 %  vendorë dhe 63.55% të huaj,  ndërsa numri i bujtjeve ishte 109.631, prej tyre 35.16% nga vendorët dhe 64.84% nga të huajt.

Në raportin e publikuar del se numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë dhe Prizren, ndërsa numri më i madh i vizitorëve të huaj ishte nga Shqipëria, Gjermania, SHBA.

Në Prizren pothuajse çdo ditë takon vizitorë nga të gjitha hapësirat shqiptare dhe të huaj nga vende të ndryshme evropiane e ato aziatike, që vijnë në mënyrë individuale apo kolektive.

Enkeljeja Braho, nga Tirana thotë se tashmë ka disa herë që për fundjavë ka qëndruar në Prizren.“Zakonisht vijmë më familje, por edhe me shoqe të punës, pasi na pëlqen të ulemi buzë lumit në kalldrëmin e qendrës, e të hamë qoftet e shijshme”, thotë ajo.

Lidhja Shqiptare është ndër monumentet më të vizituara. Prof. Dr. Parim Kosova, përgjegjës i Kompleksit të LSHP-së, tha se me ndërtimin e autostradës Prishtinë-Durrës, numri i vizitorëve është rritur vazhdimisht. “Kohët e fundit zakonisht ka mbi 50 mijë vizitore brenda një viti. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Shqipëria, Turqia, pastaj nga Maqedonia, Mali i Zi, etj”, tha ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Sipas tij, sivjet ka pasur një numër të vizitorëve edhe nga vendet aziatike, si Japonia, Kina dhe Tajvani.

Mexhid Sulejmani nga Tetova, tregon se në Prizren, sikur e sjellin shumë arsye.“Pos monumenteve historike, që janë afër njërit-tjetrit, këtu shohim edhe alltënin dhe disa veshje për nuse, ndërsa shijojmë edhe ëmbëlsirat dhe bozën tradicionale”, thotë ai.

Prizreni ofron shumëçka. Ndër ta edhe Hamami i Gazi-Mehmet Pashës, njëri nga tre Hamamet më të mëdhenj në Ballkan, pas atij të Husret Beut në Sarajevë dhe Hamamit të Daut Pashës në Shkup.

Edhe ambasadat e huaja që ndodhen në Kosovë, sikurse vitin e kaluar ajo e Amerikës nëpër rrjete sociale kanë sugjeruar që të vizitohet Kalaja dhe qyteti i Prizrenit.

Prizreni është i njohur edhe për traditën e mirë të gastronomisë dhe kultivimit të arteve të bukura. Prej kohësh,  ky qytet është shquar edhe për zejet e vjetra tradicionale, ndonëse tashmë faktori kohë i ka reduktuar në masë.

Nga Kalaja qyteti mund të shihet si në pëllëmbë të dorës. Nëpër qytet mund të bësh një shëtitje me tren apo pajton. E kur të gjitha këtyre i shtohet edhe një pamje piktoreske dhe bukuritë e rralla natyrore të Maleve të Sharrit, me Prevallën e njohur, me të drejtë mund të thuhet se këtu plotësohet një “mozaik” i kërkesave turistike./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.