25-11-2024

Prizreni nuk i përmbush kushtet minimale për grantin e performancës komunale

Komuna e Prizrenit sërish nuk i ka përmbushur kriteret e duhura për ta përfituar grantin e performancës komunale. Madje as që është kualifikuar për të hyrë në garë për këtë grant, pasi nuk i ka përmbushur dy kushte minimale, të cilat janë vlerësuar për vitin 2019, siç janë rishikimi i akteve kundërligjore dhe shpenzimi i buxhetit për investime kapitale. Përderisa lidershipi komunal përgjegjësinë për mospërmbushjen e kritereve minimale ia atribuon opozitës dhe nivelit qendror, në anën tjetër opozitarët konsiderojnë se paaftësia e Ekzekutivit ka bërë që Prizreni sërish mos të përfitojë asnjë cent nga granti i performancës komunale. Ndërsa aktivistët e shoqërisë civile konsiderojnë se si Ekzekutivi ashtu edhe Kuvendi i Komunës kanë treguar neglizhencë dhe papërgjegjësi në aspektin e performancës.

Në raportin e rivlerësimit të performancës së vitit 2019 për grantin e performancës komunale për vitin fiskal 2021 të publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal shkruan se “Komuna e Prizrenit nuk është kualifikuar për grantin e performancës komunale për vitin 2021”.

“Kushti minimal numër 2 (Komunat duhet të kenë respektuar obligimin ligjor për t’i rishikuar aktet komunale të vlerësuara si të kundërligjshme nga organet mbikëqyrëse) dhe kushti minimal numër 4 (shkalla e shpenzimit të buxhetit për investime kapitale për vitin 2019 së paku 75%) nuk janë përmbushur. Komuna ka shpenzuar 72% të buxhetit për investime kapitale”, thuhet në këtë raport, ku gjithashtu bëhet e ditur se performanca mesatare e Komunës së Prizrenit në 29 indikatorët e vlerësuar është 40 pikë nga gjithsej 96 pikë të mundshme apo 41.67%.

Lidhur me këtë çështje, në përgjigjen me shkrim, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka akuzuar opozitën dhe nivelin qendror për sabotim. “Vitin e kaluar të gjithë jemi ballafaquar me situatën pandemike dhe si pasojë e kësaj shumë projekte nuk kanë filluar. Po ashtu edhe rishikimi i buxhetit është pamundësuar nga ana e Kuvendit Komunal, pra nuk është votuar. Sidoqoftë, më vonë jemi munduar që këtë buxhet ta orientojmë tek pagesat që burojnë nga vendimet e gjykatave, të cilat janë të grumbulluar që nga viti 2016 dhe këto i kemi dërguar në Ministrinë e Financave gjatë vitit të kaluar. Një pjesë e faturave të certifikuara, që janë dërguar në Ministrinë e Financave, nuk janë ekzekutuar. Po të ishin ekzekutuar këto, ne do ta kishim kaluar kushtin e dytë, i cili është të kemi mbi 75% të shpenzimeve kapitale. Pra duhet të theksoj që kemi diku rreth 780 mijë euro të faturave të rregullta, të cilët nuk i ka ekzekutuar Ministria e Financave. Po ashtu kemi edhe 2.5 milionë euro, të cilat kanë qenë vendimet e gjykatave, që i kemi dërguar në tetor për t’i ekzekutuar, por edhe këto nuk janë paguar. Në këtë aspekt, po të ishin ekzekutuar këto pagesa, do të kishim rreth 3.3 milionë euro dhe kështu do të kishim kaluar 75% të shpenzimeve kapitale. Edhe në vitin paraprak fatkeqësisht Komuna e Prizrenit është sabotuar nga disa zyrtarë nga Ministria e Financave. Ne kemi pasur 74.8% të shpenzimeve kapitale dhe disa fatura në vlerë prej 500 mijë eurosh nuk janë paguar nga ana e Ministrisë së Financave, po të kishin paguar në kohë nuk do të kishim probleme. Pra, edhe vitin e kaluar, edhe sivjet jemi të dënuar nga mosvotimi i rishikimit të buxhetit, por edhe nga mosekzekutimi i faturave të rregullta, të cilët kanë qenë të dërguara në Ministrinë e Financave dhe po të ishin ekzekutuar nga kjo ministri ne do ta kishim kaluar “75%-shin””, thuhet në përgjigjen e Haskukës.

Por këshilltari opozitar, Ilir Baldedaj, konsideron se akuzat e Haskukës janë joparimore pasi që, sipas tij, paaftësinë e vet mundohet që ta mbulojë me akuza për sabotim ndaj opozitës dhe nivelit qendror. “Ky kryetar me veprimet e veta e ka humbur shumicën në Kuvend, prandaj përgjegjësia për dështim është e tij, njëjtë siç ka dështuar në realizimin e shumë projekteve, duke bërë që suficiti buxhetor të jetë i lartë gjatë të gjitha viteve të qeverisjes së tij”, është shprehur Baldedaj i AAK-së.

Ndërsa Elmedina Dorambari nga KDI-ja ka pohuar se mungesa e reagimit të bartësve institucionalë për të adresuar me urgjencë mangësitë që identifikon Raporti i Performancës Komunale ka rezultuar që Komuna e Prizrenit për disa vjet me radhë të mos përfitojë Grantin e Performancës Komunale.

“Fakti që rregullat për përfitimin e gratit të performancës po forcohen çdoherë, ku në këtë rast janë shtuar edhe kriteret minimale që duhet plotësuar siç është shqyrtimi i ligjshmërisë së akteve, bën përgjegjës direkt edhe KK-në. Në rrethanat e tilla, në vend se Kuvendi i Komunës të luajë rolin e tij në kërkim të llogaridhënies për të adresuar mangësitë e identifikuara në përmbushjen e indikatorëve dhe kritereve për përfitimin e grantit, ky institucion në një mënyrë bëhet edhe shkak i eliminimit të Komunës për të përfituar grantin e tillë”, ka thënë Dorambari, duke shtuar se edhe Ekzekutivi ka dështuar në realizimin e investimeve kapitale dhe se po aq mban përgjegjësi për mospërmbushjen e kritereve minimale për grantin në fjalë.

“Këto fakte tregojnë neglizhencën dhe papërgjegjësinë si të Kuvendit ashtu edhe të kryetarit apo Ekzekutivit për të rritur performancën, veprim ky që me automatizëm do të ndikonte edhe në rritjen e kualitetit, në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e komunës”, ka përfunduar ajo./Koha.net

 

https://www.koha.net/kosove/273093/prizreni-nuk-i-permbush-kushtet-minimale-per-grantin-e-performances-komunale/

Asnjë koment

Comments are closed.