Prizreni, qyteti me mbiemra të zejeve dhe të gjyshërve
Prof. dr. Simir Krasniqi, duke folur lidhur me mbiemrat e Prizrenit, tha për “Kosova Sot” pos 12 fiseve që ka kombi, në Prizren është tipik fakti se mbiemrat janë sipas zejeve. Kur dihet se dikur Prizreni ishte qytet i zejeve janë ruajtur tiparet e këtyre zejeve edhe në bazë të mbiemrave që tani i kanë shumë familje.
Mbiemrat e detyrueshëm nga pushteti jugosllav
Kurse, Prof. Islam Thaçi shpjegon se “mbiemrat e njerëzve të një vendi mund të trajtohen si në aspektin sinkronik, ashtu edhe në aspektin diakronik. Gjatë Mbretërisë Jugosllave shumica e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë të detyruar nga pushteti që mbiemrit të tyre t’ua shtojnë edhe mbaresën sllave -iq ose -viq.
Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarëve të Kosovës u është lejuar t’i ndryshojnë mbiemrat e tyre, gjë që shumica edhe e kanë bërë. Pjesa më e madhe e familjeve të shqiptarëve në Kosovë i kanë mbiemrat e sotëm që nga kjo kohë.
Ndryshimi i mbiemrit është i lejuar me ligj edhe tash, por pak familje a individë e shfrytëzojnë këtë të drejtë, përveçse me rastin e martesës”, thotë Thaçi dhe shton se në pasurinë e përgjithshme të patronimeve shqiptare, mbiemrat e formuar nga emri i paraardhësit, konkretisht babës, përbëjnë rreth 40 për qind të numrit të përgjithshëm, dhe një tablo e tillë na del e pranishme edhe tek banorët e Prizrenit.
Kurse prof. dr. Krasniqi shpjegon se mbiemrat me zanafillë nga atësia kanë një arsye logjike të lindjes së tyre. Kjo është një formë jashtë komunikimit formal e shkrimor, që përdoret në rrethe njerëzish e mjedise të ngushta.”Prizreni si edhe shumë qytete të tjera një numër të mbiemrave e kanë në bazë të zejeve që ata kanë ushtruar, si:Tyfekxhiu,Berberi, Petulla,Çerrret,Basmaçiu, Zurnagjiu, Fishekçiu,Lopari ,Namlëgjiu etj., por të gjitha këto mbiemra janë marrë kryesisht nga zejet që kanë ushtruar” , thotë prof. dr. Krasniqi.
Mbiemrat që tregojnë vendbanimin
Mbiemrat në Prizren që tregojnë vijimësinë a birërinë/prejardhjen e drejtpërdrejtë të bartësve të tyre nga personi emrin (e plotë ose të shkurtuar) e të cilit e mbajnë si mbiemër, rëndom nga i ati, gjyshi a stërgjyshi i tyre, si: Hajdari, Selmani, Budurri, Meta,Fetahu,Bajrami, Hasani, Rexhepi, Syla, Sylejmani, Rexhepi etj.
Mbiemrat që tregojnë vendbanimin, fshatin, qytetin a krahinën (fisin, bajrakun) prej nga mendohet se e kanë prejardhjen të parët e bartësve të mbiemrit, si: Dibra, Peja, Gjokova, Prizreni. Shkodra; Drenica, Llapi, Mati, Toplica; Gruda, Hoti, Berisha, Krasniqi etj.
Mbiemrat që tregojnë zanate dhe profesione ose tituj fetarë e zyrtarë a grada ushtarake, si: Berberi, Kasapi, Kovaçi, Nallbani, Terziu; Agai, Kadiu; Myftiu, Spahiu; Hoxha, Shehu; Bylykbashi, Bimbashi, Delibashzade pastaj mbiemrat sipas zejeve siç i përmendëm më lartë.Pasi Prizreni ka pasur shumë, Tufekçi, Berberë, Basmaxhinj, e shumë mbiemra të tjerë. Mbiemrat që janë formuar në formën e nofkës a të llagapit të ndonjë paraardhësi të bartësit të mbiemrit, si: Çollaku, Gunga, Qorri, Shurdha, Topalli etj. Kategoritë e mësipërme kanë nënndarjet e tyre, motivimin e formimit të mbiemrave të shqiptarëve të Kosovës.
Në këtë drejtim Prizreni dallohet si qytet se pos 12 fiseve, si: Krasniq, Thaç, Gash, Berishë, Bytyç,Shala, etj., ka mbiemra të shumtë siç u përmenden më lart.
Mbiemri Berberi
“Njëri nga këta mbiemra që tregohet se është edhe i vonshëm, por edhe i lashtë, është bie fjala ai Petulla”, tregon Fisnik Fejza. “Ky mbiemër Petulla është mjaft i lashtë, ngase thuhet në kohën Turqisë ishin disa familje që gatuanin më së miri petulla, një gatim nga brumi, prandaj ata, edhe pse ishin me fis Berisha, që atëherë thuhet se me urdhër të Kajmekamit e morën këtë mbiemër”, thotë Fejza.
Apo siç tregon Mehmet Krasniqi për “Kosova Sot” se familja e tij deri në luftën e fundit për një periudhë sigurisht dy- tre qind vjet e kanë pasur mbiemrin Berberi, sepse kjo familje ishte familje berberësh. Mirëpo, pas luftës së fundit në vitin 1999, ai tha se me insistimin e tij e kanë kthyer mbiemrin në fis Krasniqi, sepse tani këtë zeje e kjo familje që dy gjenerata nuk e ushtrojnë dhe ishte dëshirë e gjyshit që mbiemrin e parë të fisit ta kemi Krasniqi./KosovaSot