Komuna e Prizrenit ka kërkuar shqyrtimin e mundësisë për heqjen e taksës komunale për regjistrim të veturave, që aplikohet prej disa vitesh, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Komiteti për Politikë dhe Financa, që vepron në kuadër të Kuvendit Komunal (KK) sot i ka propozuar Drejtorisë së Financave, që në konsultim me Ministrinë e Financave të shqyrtohet kjo çështje.
Taksa komunale, në vlerë prej 10 euro, deri tash ka shërbyer si kushtëzim për pagesën e shërbimeve komunale. Komuna e ka lëshuar vërtetimin përkatës, pasi paraprakisht është siguruar dëshmia për pagesën e tatimit në pronë dhe mbeturinave.
Deri tash nuk është marrë fare parasysh, nëse një familje ka të kryer këto obligime, por ajo është aplikuar për numër të veturave, përkundër pagesave të tjera në Qendrën e regjistrimit.
Ndërkaq, ende nuk ka njoftim se me propozimin për heqjen e saj, a do të hiqen edhe kushtëzimet për pagesën e shërbimeve komunale, për të cilat kishte vendosur Kuvendi i Komunës. /GazetaePrizrenit.net