Prokurori: Paratë për javën e dëshmorit, Nexhat Çoçaj i barti në llogarinë personale
Në seancën e sotme në Gjykatën e Prizrenit është dhënë fjala përfundimtare.
Për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale, prokurori i çështjes në fjalën përfundimtare u tërhoq nga pika 1 e aktakuzës, raporton www.kallxo.com
Sipas pikës 1 të aktakuzës, Nexhat Çoçaj, gjatë periudhës kohore maj- qershor të vitit 2008 në Prizren, si person zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të fitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në atë mënyrë që si kryetar i këshillit organizativ i manifestimit “Java e Remzi Ademajt” në xhirollogarinë e tij bankare alokohet shuma 12 mijë e 803 euro nga Komuna e Prizrenit.
Përkundër që prokurori i rastit Mehdi Sefa për arsye shëndetësore nuk pati mundësi të paraqitej në seancë, ai fjalën përfundimtare e kishte paraqitur me shkrim. Sefën e zëvendësoi prokurori Genc Nixha.
Më tutje prokurori i shtetit ka shtuar se në bazë të super-ekspertizës janë gjetur parregullsi të reja që nuk kanë qenë evidente në shqyrtimin kryesor më parë, si dhe është vërtetuar fakti se i akuzuari Nexhat Çoçaj mjetet e dedikuara për manifestimin “Java e Remzi Ademajt” i ka bartur në xhirollogari personale dhe me të njëjtat edhe ka blerë pajisje dhe produkte nga biznesi me emrin “Bogdani”, pronar i së cilës ka qenë edhe vetë Nexhat Çoçaj.
Më tutje prokurori Nixha dha edhe disa fakte, sipas tij, me rëndësi.
“Fakti që edhe gjatë vitit 2010, 2011, 2012 edhe pse Nexhat Çoçaj nuk ka qenë në krye të këshillit organizativ, në xhirollogari të tij personale janë derdhur mjete financiare në emër të këtij manifestimi, këtu nga dy të akuzuarit tjerë Bekim Thaçi dhe Bedri Çejku”, shtoi prokurori, raporton KALLXO.com.
Ndërsa për dy të akuzuarit e tjerë prokurori i shtetit shtoi se nga të gjitha provat, super-ekspertiza dhe shqyrtimet e mbajtura në rigjykimin e kësaj çështjeje, për dy të akuzuarit e tjerë u vërtetua fakti se gjatë kohës sa ishin kryetarë të këshillit organizativ të manifestimit në fjalë, të njëjtit fondet e dedikuara për manifestimin i kanë derdhur në xhirollogaritë personale të të akuzuarit të parë Nexhat Çoçaj.
Ndërsa si fakt me rëndësi sipas Prokurorisë është se këto fonde që i dedikohen manifestimit “Java e Remzi Ademajt” nuk janë subvencione ashtu siç kanë cekur të akuzuarit gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, “sepse një gjë e tillë nuk është evidente në konkluzionin e Komunës së Prizrenit, e cila i ka lëshuar këto mjete financiare”.
Mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Çoçaj, avokati Bashkim Nevzati, theksoi se edhe pas insistimit të mbrojtjes që lidhur me faktin se këtu të akuzuarit a kanë qenë persona zyrtar apo jo në kohën kur drejtonin organizimin e manifestimit, një gjë të tillë nuk u arrit të vërtetohet as nga përpiluesit e super-ekspertizës.
“Ky fakt ka mbetur i pavërtetuar, pra është vërtetuar e kundërta se vendosja e pozitave organizative është një veprim intern i këshillit organizativ, i cili nuk është ndonjë organ zyrtar por është një përbërje për kryerjen e një manifestimi, e me përfundimin e manifestimit përfundon edhe veprimtaria dhe fushëveprimi i këshillit organizativ, pra nuk kemi të bëjmë me organ zyrtar, dhe persona zyrtar siç pretendon aktakuza”, theksoi avokati, raporton kallxo.com.
Mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Thaçi, avokati Hylki Kurtaj fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim, dhe theksoi se qëndron në tërësi prapa fjalës përfundimtare të dorëzuar e cila do të bëhet pjesë e shkresave të lëndës.
Mbrojtësi i të akuzuarit Bedri Çejku, avokati Osman Zajmi, deklaroi po ashtu se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtim kryesor.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ajser Skenderi kryetare, dhe Xheladin Osmani dhe Kymete Kicaj, anëtarë, e shpallën të mbyllur këtë shqyrtim gjyqësor, dhe caktuan datën 19 nëntor për shpalljen e vendimit përfundimtar të Gjykatës.
Gjykata Themelore e Prizrenit fillimisht kishte shpallur aktgjykim dënues, ashtu që i akuzuari Çoçaj ishte dënuar me 3 vjet burg me vendim të Gjykatës për këtë çështje, ndërsa Thaçi me 14 muaj, e Çejku me 6 muaj burg, por Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin se kemi të bëjmë me dy ekspertiza të ndryshme dhe në kundërthënie me njëra-tjetrën.
Por, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin e janë dy ekspertiza të ndryshme, të cilat qëndrojnë në kundërthënie me njëra-tjetrën, andaj Gjykata Themelore duhet të urdhërojë punimin e një super-ekspertize.
www.kallxo.com