03-05-2024

Prokuroria deklarohet për rastin me VisaMetric

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se pasi kanë pranuar kallëzim penal ndaj VisaMetric, menjëherë janë marrë veprime sipas dispozitave ligjore në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Këtë informacion e dha për Gazetën Express zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Lidhur me këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal. Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve sipas dispozitave ligjore të KPPRK-së, dhe atë në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për zhvillimet e radhës lidhur me këtë rast do të njoftoheni në kohë”, tha Ulaj për Express.

Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “VisaMetric” marrjen e pagesës prej 30 euro, si tarifë për kthim të pasaportave, ky vendim fillimisht nuk u respektua, por para dy ditësh përfaqësuesi ligjor i VisaMetric tha se vendimi në fjalë do të respektohet.

Avokati, Fisnik Salihu ka thënë për Gazetën Express se “VisaMetric është e obliguar që vetëm çështjen e pagesës së postës ta ketë opcionale”, dhe nuk ka të bëjë me kompensimin e qytetarëve.

Qytetarët që kanë paguar 30 euro për kthimin e pasaportës tani po kërkojnë kthimin e parave nga VisaMetric.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka pranuar qindra ankesa nga qyetetarët dhe ka konfirmuar se kur ankesat janë të bazuara adresohen tek operatori dhe i njëjti urdhërohet të rimbursojë qytetarët për “pagesa të paarsyshme”, po ashtu MINT ka pohuar se VisaMetric është duke i rimbursuar qytetarët. Por, mbrojtja e VisaMetric Fisnik Salihu tha se vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë me kompensim.

Ditë më parë kur Gazeta Express zhvilloi një bisedë me avokatin Flamur Abdullahu, i cili inicioi në Gjykatën Komerciale rastin e operatorit ekonomik VisaMetric L.L.C, që shërbimi postar në vlerë prej 30 eurosh të mos jetë obligativ për aplikantët për viza në Ambasadën Gjermane, ai tha se në mënyrë që atij dhe qytetarëve t’u kthehen paratë ka ushtruar Padi Kolektive, në emër të interesit publik.

“Për këtë qëllim kam bë padi kolektive në emër të interesit publik, e tash e pres gjykatën mem ftu në seancë për padi kolektive, unë kam kërku me mu kthy mua paratë edhe gjithë të tjerëve kujna ia kanë marrë këtë pagesën kundër ligjit. Tash varet nga gjykata se sa shpejtë punon gjykata”, kishte deklaruar ditë më parë Abdullahu për Express.

Edhe MINT ka pohuar se Inspektorati i Tregut ka mbledhur të gjitha provat dhe ka iniciuar procedurën kundervajtese në gjykatën kompetente ndaj operatorit ekonomik VisaMetric.

Asnjë koment

Comments are closed.