24-11-2024

Prokuroria do të kërkojë ndërprerjen e pagesave për veteranët e rrejshëm

Krahas aktakuzës ndaj veteranëve të rrejshëm, Prokuroria Speciale e Kosovës do të kërkojë nga gjykata që përfituesve të pensioneve të veteranëve t’u ndalohet pagesa.

Aktakuza, sipas prokurorit Special, Sylë Hoxha, duhet të plotësohet me përfshirjen e emrave të përfituesve të kundërligjshëm, raporton KTV.

Hoxha thotë se po punohet intensivisht që kjo aktakuzë të dorëzohet në gjykatë.

Por, Hoxha ende nuk ka një përgjigje se çfarë do të ndodhë me miliona euro, të cilat deri më tani u janë dhënë përfituesve të këtyre pensioneve.

E, derisa gjykata të marrë një vendim të tillë, vetëm gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti shteti ka ndarë më shumë se 44 milionë euro për këtë kategori.

Të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale tregojnë se nga janari, kur në listë për të marrë këtë pension ishin 36.794 persona, deri në muajin korrik kësaj liste i janë shtuar rreth 977 persona të tjerë.

Duke bërë kështu që edhe buxheti për këtë kategori të rritet nga 6.3 sa ishte në janar, në 6.4 milionë euro në korrik.

E, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, thotë se numri i veteranëve u trefishua, ndërsa fryrjen e listave e konsideron krim të organizuar.

KTV-ja ka kontaktuar edhe Nasim Haradinajn nga Shoqata e Veteranëve të UÇK-së.

Ai, nëpërmjet telefonit ka thënë që do të ishte e papranueshme që të kërkohej që nga lista e pagesave të hiqeshin të gjithë veteranët.

Por që, sipas tij, Prokuroria do të duhej të kërkonte që të hiqeshin vetëm ata që dyshohen se keqpërdorën dhe falsifikuan statusin e veteranit.

E gjatë së premtes nëpërmjet një komunikate për media, kanë reaguar edhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së në Dukagjin.

Ato kanë kërkuar që të ndalohet tendenca e rrezikshme kundër luftës çlirimtare dhe kanë thënë se janë në përkrahje të plotë të deklaratave të ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, për numrin e veteranëve dhe të gjitha çështjet e tjera të ngritura.

Në reagimin e këtyre shoqatave thuhet se në Dukagjin kanë qenë dhjetëra mijëra luftëtarë me armë në dorë, por asnjëherë nuk përmendet numri i saktë i tyre në këtë zonë.

Asnjë koment

Comments are closed.