24-11-2024

Prokuroria do të kërkojë paraburgim për të dyshuarën për vrasjen e 67-vjeçares në Kuk të Dragashit

Prokuroria Themelore e Prizrenit do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj N.A., e dyshuar për vrasjen e kunatës së saj S.D., në Kuk të Dragashit.

Këtë informacion e dha Fitore Mehmeti, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë dhënë Gazetës Express.

Fillimisht rasti në polici ishte hapur si “vdekje e dyshimtë”, por kur mjeku kishte vërejtur shenja dhune në trupin e pajetë të 67-vjeçares kishin filluar hetimet dhe më pas rasti u rikualifikua si “vrasje e rëndë”.

Policia ka konfirmuar se e dyshuara në prani të avokatit mbrojtës e ka pranuar se ka kryer vrasjen.

Gjithashtu janë sekuestruar disa mjete të forta si provë materiale dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit e njëjta është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Më 21 dhjetor, Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte ngritë aktakuzë kundër N.A dhe djalit të saj për “dhunë në familje”. Sipas prokurorisë, e ndjera kishte qenë viktimë e dhunës psikike nga të akuzuarit në tetor të këtij viti.

Asnjë koment

Comments are closed.