25-11-2024

Prokuroria e Prizrenit deklarohet për rastin e vdekjes së gruas në Dragash

Një grua 67-vjeçare nga fshati Kuk i Dragashit ka vdekur në orët e para të mëngjesit të së hënës. Sipas policisë, viktima kishte pasur shenja dhune në trup dhe në familjen e saj dyshohet se kishte pasur dhunë. Rasti në polici është hapur si “vdekje e dyshimtë”, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Fitore Mehmeti, lidhur me rastin tha se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML, si dhe prokuroria ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore.

“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës me urgjencë të dërgohet për kryerje të obduksionit në Institutin e Mjeksësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, për të kuptuar shkakun e vdekjes. Po ashtu, lidhur me rastin prokurori ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore”, tha Mehmeti.

Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit ka deklaruar se viktima dyshohet se ka pasur dhunë në familje, ajo ka vdekur në ora 05:00 të mëngjesit të hënën.

“Ka vdekur në shtëpinë e saj në moshën 67-vjeçare, dyshohet që ka shenja dhune në trup”, ka thënë ai.

Rasti në polici është hapur si vdekje e dyshimtë.

“VDEKJE E DYSHIMTË/Dragash 26.12.2022 – 05:00. Pas një informate të pranuar se viktima femër kosovare ka ndërruar jetë, njësiti përkatës kanë dal në vendin e ngjarjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për Obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë. /PP

Asnjë koment

Comments are closed.