Sekuestrohen mbi 28 mijë euro nga dy kosovarë në Morinë
Dy shtetas kosovarë janë ndaluar e më pas janë liruar pasi nuk kanë deklaruar paratë në pikëkalimin kufitar në Morinë.
Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit në Shqipëri janë sekuestruar 28.500 euro dhe janë proceduar penalisht dy persona.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar dhe në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip ‘Volkswagen’, me drejtues shtetasin D. R. dhe pasagjer shtetasin D. Sh. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur shtetasit D. R., 12.400 euro, ndërsa shtetasit D. Sh. i kanë gjetur 16.100 euro, të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 28.500 euro”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. R., 24 vjeç dhe D. Sh., 20 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.