13-12-2024

Prokuroria jep detaje për zyrtarët doganor dhe kontrabandistët e arrestuar në Vërmicë

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me hetuesit e Doganës, pas një hetimi disa mujor duke përdorur teknikat speciale të hetimit dhe vëzhgimit, ka arritur që me datë 27.05.2019 t’i arrestoj katër (4) zyrtarë doganor të Pikës Doganore në Vërmicë – Prizren dhe katër (4) qytetarë, dy prej tyre shtetas të Republikës së Shqipërisë, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Zyrtarët doganor me inicialet H.D., B.M., D.H., dhe A.Z., dyshohen se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, katër të dyshuarit tjerë, dy prej tyre shtetas të Republikës së Shqipërisë, me inicialet M.A., V.S., V.S. dhe L.Rr., dyshohen se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 317 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, “Tregtia e ndaluar” nga neni 305, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” nga neni 318 paragrafi 2, lidhur me nenin 31, të KPRK-së,

Prokuroria Themelore ne Prizren, për tetë (8) personat e lartëcekur ka lëshuar Aktvendim për Ndalim, dhe të dyshuarit do të mbahen 48 orë në ndalim deri në një vendim tjetër./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.