Prokuroria kërkon dënimin e menaxherit të prokurimit në Dragash, ndërsa i akuzuari lirimin e tij
Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, dje ka përfunduar gjykimi ndaj të akuzuarit Nuro Ismaili, i cili po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.
Ismaili ngarkohet se nënshkroi një kontratë me një operator për 25 mijë e 680 euro më të shtrenjtë si dhe dështoi të marrë sigurinë e tenderit prej 3 mijë eurosh dhe nënshkroi kontratën me operatorin pa i plotësuar të gjitha dokumentet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Mehdi Sefa në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se në bazë të provave të shqyrtuara dhe dosjes së tenderit është vërtetuar përshkrimi faktik i aktakuzës ndaj të akuzuarit Ismaili.
Po ashtu, Sefa tha se sipas provave është vërtetuar se dëmi që i ka shkaktuar buxhetit të Komunës së Dragashit është në shumën prej 3 mijë euro.
Lexo edhe:
Prizren: Konkursi për sekretarë të shkollave përfundon në Prokurori
Tutje, prokurori Sefa ka kërkuar nga trupi gjykues që të akuzuarin Ismaili ta shpall fajtor të ketë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese me rastin e shqiptimit të dënimit.
Kurse, përfaqësuesi i Komunës së Dragashit, Ramadan Krasniqi ka thënë se si komunë është hera e parë nuk kanë pasur rast të tillë kur menaxheri i prokurimit ka qenë i akuzuar e që komuna është dënuar, megjithatë i njëjti tha se i bashkangjitet ndjekës penale dhe se varësisht nga vendimi i gjykatës do të paraqes padi për kompensim të dëmit.
Ndërsa, i akuzuari Ismaili në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se si menaxher i prokurimit i ka përmbushur detyrat e tij me rastin e inicimit të tenderit dhe kërkesës së dosjes së tenderit dhe në njoftimin për kontratë.
Ismaili, ka kërkuar nga gjykata që me rastin e marrjes së vendimit të njëjtin ta liroj nga akuza për veprën penale për të cilën ngarkohet.
Paraprakisht, në këtë seancë i akuzuari Ismaili ka dhënë mbrojtjen e tij ku ka thënë se si menaxher i prokurimit ka respektuar të gjitha rekomandimet të cilat kanë qenë në fuqi.
Po ashtu, ai tha se në këtë rast konkret kompania në fjalë nuk është tërhequr zyrtarisht nga tenderi dhe me këtë rast kanë zgjedhur kompaninë tjetër dhe për këtë arsye nuk është bërë tërheqja e sigurisë.
Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 15 shtator 2022.
Lexo edhe:
Prizren: Ndaj këtyre zyrtarëve dhe drejtorëve ka bërë kallëzim penal Vetëvendosje! (Video)
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 nëntor 2020, Nuro Ismaili po akuzohet se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi” B.I.
Ismaili po ngarkohet se si menaxher në Zyrën e Prokurimit në kundërshtim me ligjin ka lidhur kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 25 mijë e 680 euro.
Po ashtu, ai ngarkohet se ka dështuar të konfiskojë sigurinë e tenderit i datës 5 maj 2019 në shumë prej 3 mijë euro për furnizim me dru dhe pelet nga Operatori ekonomik “Avni Murtezi”.
Gjithashtu, sipas aktakuzës ai ngarkohet se pa i plotësuar të gjitha dokumentet i lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Dragashit.
Me këto veprime, Nuro Ismaili po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nën paragrafi 3.2 të Kodit Penal. Sipas nenit 414, paragrafit 1, dënimi parashihet të jetë me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë