Prokuroria kundërshton lirimin e përkohshëm të Thaçit, pritet përgjigjja edhe për Selimin e Krasniqin
Në Gjykatën Speciale në Hagë sot është mbajtur seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve politikë e ushtarakë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Në këtë seancë është diskutuar edhe për kërkesat për lirim të përkohshëm.
Prokurorja e ZPS-së ka thënë se tashmë i kanë kthyer përgjigje ekipit mbrojtës të presidentit Hashim Thaçi në kërkesën që ai të lirohet përkohësisht.
“Sa i takon mocioneve paraprake ne nuk shikojmë ndonjë bazë sa i takon shtyrjes. Sa i takon kërkesës për mocionet për lirim të përkohshëm, prokuroria është kundër këtyre kërkesave, dhe fuqimisht ne e kemi parashtruar dje përgjigjen tonë sa i përket z. Thaçi, e kemi dhënë këtë përgjigje dje brenda afatit”, ka thënë ajo.
Të njëjtin vendim thotë se do ta marrin edhe për kërkesën e njëjtë që ka bërë edhe ekipi i Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Numrin e fjalëve të vëllimit të materialit, të njëjtën gjë do të bëjmë sot për zotin Selimi dhe Krasniqi, të gjitha palët njoftohen për rëndësinë për parashtrimet e plota”, ka thënë prokurorja.
Në këtë seancë është diskutuar edhe për fillimin e procesit gjyqësor. Palët mbrojtëse kanë thënë se ju duhen më së paku 18 muaj që të kryhen përgatitjet. /GazetaExpress/