23-11-2024

Prokuroria në Prizren nis hetimet për veteranët e rremë

Prokuroria Themelore (PTH) në Prizren ka nisur grumbullimin e informatave lidhur me listat e veteranëve të luftës, të cilat dyshohen për manipulime, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Derisa nëpër rrjete sociale ka vazhduar publikimi i listave të ndryshme, për të cilat është thënë se përmbajnë emrat e veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, pas të cilave ka pasur edhe reagime të shumta, në institucionin e akuzës në Prizren njoftohet se kanë nisur hetimet rreth listave të dyshuara.

Fitore Mehmeti-Sejrani, zyrtare për informim dhe monitorim të mediave pranë PTH-së në Prizren, ka thënë se Prokuroria Themelore është akoma në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informatave.”Rrjedhimisht nuk e dimë sa është numri i rasteve dhe i personave të dyshuar për manipulime me listat e veteranëve, sepse e gjithë kjo varet nga ecuria e hetimeve”, ka thënë ajo përcjell “GazetaePrizrenit.net”.​

Në kontekstin e zhvillimit të hetimeve, kryeprokurori i PTH-së, Admir Shala, një javë më parë ka njoftuar se është takuar me Njësitin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, me ç’rast ka kërkuar intensifikimin e veprimeve hetimore për rastin e mashtrimeve me listat e veteranëve të luftës, duke përfshirë Zonën Operative të Pashtrikut, përkatësisht Brigadat 121, 122, 123, 124, 125,126 dhe 128.

Për t’u marr ekskluzivisht me këto lëndë, njoftohet se është caktuar një prokuror, ndërsa nëse paraqitet nevoja, numri i prokurorëve mund të shtohet.

Pastrimin e listave nga veteranët e rrejshëm e kanë kërkuar edhe drejtuesit e Shoqatës së Veteranëve të luftës në Prizren, të cilët i nga organet e drejtësisë kërkojnë zbardhjen e të vërtetës.

Referuar shkrimeve në media, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, del se në Zonën Operative të Pashtrikut, listohen 4.701 anëtarë, të cilët i janë shtuar listës së veteranëve kundërligjshëm.

Në Operacionin Shigjeta, prokuroria liston emrat e 1.035 anëtarëve ‘veteranë’ që i janë shtuar listës së veteranëve kundërligjshëm.

Në anën tjetër, deputeti Zafir Berisha dhe Lulzim Kabashi, ish komandant i Batalionit të Kabashit, përmes rrjeteve sociale në internet, kanë reaguar rreth disa listave të veteranëve të rrejshëm të shpërndara nëpër internet, në të cilat sipas tyre “qëllimshëm” janë lakuar edhe emra të atyre që kanë qenë pjesë e rëndësishme e luftës./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.