Prokuroria Speciale hedh poshtë kallëzimin penal kundër Sylë Hoxhës në rastin ‘Syri i Popullit’
Prokuroria Speciale ka nxjerrë aktvendim për hedhjen e kallëzimit penal të parashtruar nga avokati Tomë Gashi ndaj ish-prokurorit Sylë Hoxha, për veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare, me arsyetimin se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm, se i njëjti ka kryer këtë vepër apo ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare. Në aktvendim thuhet se në rast se paraqiten prova të reja rastit do të rihapet, mëson Gazeta Sinjali.
Sipas aktvendimit ëka siguruar Sinjali, Prokuroria ka vlerësuar se nuk është provuar dyshimi se ish-prokurori Hoxha ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, prandaj është hedhur kallëzimi penal.
Çka pretendonte Gashi?
Kallëzimi penal është parashtruar më 31 dhjetor të vitit 2021, përmes të cilit, Gashi ka pretenduar se Hoxha gjatë ushtrimit të detyrës së prokurorit, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, “duke ndikuar dhe organizuar që agjentët e AKI-së të dëshmojnë rrejshëm në procesin gjyqësor kundër Sadi Ramabajës, ku në bazë të dëshmimit të tillë dhe inskenimit të rrethanave të paqena inkriminuese, prokurori Hoxha e ka bazuar aktakuzën për rastin në fjalë. Në kallëzimin penal, Gashi ka pretenduar se kjo situatë është bërë me qëllim të implikimit dhe paraqitjes së rrejshëm të kryetarit të VV-së, Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, kinse themelues dhe udhëheqës të organizatës terroriste “Syri i Popullit”.
Pasi është parashtruar kallëzimi penal, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me ç’rast është intervistuar Driton Gashi, i cili ka ushtruar detyrën e drejtorit të AKI-së.
Përveç kësaj, me qëllim të sqarimit të pretendimeve të paraqitura në kallëzim penal, Prokuroria ka siguruar edhe urdhëresat e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilave gjyqtarja e procedurës paraprake ka urdhëruar anonimitet të dëshmitarëve.
Prokuroria ka vlerësuar se gjendja faktike në këtë çështje penale është e qartë dhe nuk është e nevojshme që të kërkohet ndonjë informacion shtesë dhe se nuk ka bazë për inicimin e hetimit formal, pasi që nuk ka dyshim për kryerjen e veprës penale të përfshirë në kallëzim penal.
Pra, sipas Prokurorisë, në veprimet e Sylë Hoxhës, nuk përmbushen elementet esenciale të kësaj vepre penale, pasi që veprimi i të njëjtit në raport me dëshmitarët e shpallur anonim nga Gjykata është bërë konform ligjit në fuqi.
Bazuar në faktet dhe provat, Prokuroria ka vlerësuar se nuk është provuar dyshimi i arsyeshëm se Hoxha ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, andaj mbi këtë bazë dhe në pajtim me gjendjen faktike, prokurori ka hedhur kallëzimin penal.
/GazetaSinjali/