16-04-2024

Përfundon gjykimi ku paditësi pretendon se SHSKUK ka përzgjedhur kundërligjshëm drejtoreshën e Spitalit në Prizren

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, ka përfunduar gjykimi në kontestin civil ndërmjet paditësit L.G dhe të paditurës Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ku paditësi pretendon se SHSKUK ka përzgjedhur kundërligjshëm drejtoreshën e Spitalit “Daut Mustafa” në Prizren.

Në këtë rast, paditësi L.G, pretendon se kandidatja N.A.- H. e përzgjedhur për pozitën drejtoresh e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren “Primarius Dr.Daut Mustafa” në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), nuk i kishte plotësuar kriteret për këtë pozitë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i paditësit L.G, avokat Sylë Hoxha në fjalën përfundimtare ka propozuar që kërkesëpadia të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe konkursi i kontestuar të anulohet.

I njëjti ka propozuar që shpenzimet e procedurës të bien në barrën e palës së paditur.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës ShSKUK, Dibran Zogaj ka thënë se me padi nuk është kontestuar procedura e rekrutimit të pozitës për drejtor të Spitalit të Përgjithshëm në Prizren.

Zogaj tha se sipas padisë kontestuese për paditësin është mosplotësimi i kritereve, ngase kandidatja fituese ka punuar në institucion privat.

Në fund, Zogaj ka propozuar që padinë dhe kërkesëpadinë ta refuzoj si të pabazuar.

Paraprakisht në këtë seancë gjykatësi i rastit, Shyqri Hoxha ka thënë se pala paditëse ka dorëzuar gjykatës si provë kontratën me numër 1813 të 5 dhjetorit 2018 dhe kontratën me numër 1280 të 1 nëntorit 2018.

Përfaqësuesi i palës paditëse, avokat Sylë Hoxha ka thënë se heqin dorë nga kontrata me titull H-7 pasi që të njëjtën gabimisht e kanë propozuar.

Tutje, në këtë seancë është bërë edhe leximi i provave, me ç’rast pala e paditur ka paraqitur vërejtje në aspektin e procedimit të administrimit të proves së paraqitur nga pala paditëse dhe atë kontratën me numër 1280, me kodin e pozitës H-21.

Ndryshe, me padinë e parashtruar më 29 qershor 2022, paditësi L.G, ka kërkuar anulimin e konkursit publik të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Në padi thuhet se, e paditura ka shpallur konkursin publik me numër protokoli 674 të datës 07 mars 2022 për pozitën Drejtorë i Spitalit të Përgjithshëm “Primarius Dr.Daut Mustafa” në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitarë i Kosovës -SHSKUK. Pas procedurës së konkurimit me njoftimin me numër protokoli 1518 të datës 01 qershor 2022 për pozitën Drejtor është përzgjedhur kandidatja N.A. – H.

Sipas padisë, në rastin konkret e përzgjedhura nga komisioni përzgjedhës si kandidatë fitues N.A.-H. nuk ka plotësuar këtë kriter ngase nuk ka punuar në kuadër të SHSKUK-së por ka punuar në sektorin privat si stomatologe, andai në këtë drejtim vendimi i komisionit përzgjedhës është i kundërligjshëm.

Tutje, në padi thuhet se, paditësi i cili ka konkurruar në këtë konkurs i plotëson të gjitha këto kushte, të cilat fakte vërtetohen nga kontrata e punës, ku i njëjti ka qenë kryeshef i sektorit për monitorim dhe vlerësim të cilësisë së punës në SHSKUK.

Në fund, padia thotë se kandidati i vlerësuar nga komisioni i pranimit duhet të kaloj pragun minimal të 70% të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, që në rastin konkret paditësi ka kaluar këtë prag pasi që ka pasur 75 pikë mirëpo edhe përkundër faktit se paditësi ka plotësuar kriteret e përgjithshme dhe ato të posaçme nuk dihet se cili ka qenë vlerësimi profesional i komisionit që përfshinë vlerësimin e njohurive, aftësive dhe cilësive profesionale të kandidatëve siç parashihet në nenin 40 par.5, pika 5.2 të ligjit për zyrtar publik./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.