25-04-2024

Prokurorja thotë se i duhet kohë për të analizuar shkresat në gjykimin për legalizim të përmbajtjes së rreme

Të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është shtyrë shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për legalizim të përmbajtjes së rreme, Sadri Mazreku.

Propozimin për shtyrjen e kësaj seance e ka bërë prokurorja Dëshirë Jusaj, me arsyetimin  se i duhet kohë për të analizuar shkresat e pranuara.

“Pasi që gjykata na i dorëzoi shkresat zyrtarisht, të cekura në procesverbal, në formë të kopjes fizike, kërkoj nga gjykata që mundësisht kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër, pasi që kam nevojë që t’i analizoj këto shkresa dhe nuk mund të deklaroj sot për sot për këtë”, tha prokurorja Jusaj.

Propozimin e prokurores e ka mbështetur përfaqësuesi i i familjes së të dëmtuarit S.M, Leotrim Syla, dhe i akuzuari Sadri Mazreku me mbrojtësin  e tij, avokatin Naser Peci.

Gjykatësi i çështjes, Njazi Morina ka aprovuar propozimin e prokurores dhe seanca e radhës është caktuar të mbahet më 1 korrik 2021, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 shkurt 2015, Prokuroria Themelore në Gjakovë, të akuzuarin Sadri Mazreku e ngarkon me veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403, paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Mazreku, më 3 qershor 2014, në Malishevë, ka vënë në lajthim Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, saktësisht gjyqtarin Haki Kryeziu, i cili vërteton një çështje të pavërtetë me aktgjykimin e datës 3 qershor 2014, me të cilin gjykata refuzon kërkesëpadinë e paditësve Sali Rrustem, Azem, Hysen, Miradije dhe Naxhije Hamz Mazreku, nga Malisheva, ndaj të paditurve Rahim, Sylejman, Musli, Januz, Nuhi, Ramadan, Nazmi, Mivledin, Sadri dhe Hamdi Mazreku.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Sadri Mazreku, ka prezantuar dokumentin e rrejshëm se ka ekzistuar një person me emrin Rrustem Mazreku që ka pasur në pronësi  ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 47 ari në Malishevë e që pastaj e ka trashëguar te pala e paditur, e që gjykata është vënë në lajthim duke vërtetuar pronësinë sipas trashëgimisë, edhe pse kjo pronë ka qenë e familjes së të dëmtuarit S.M, tani i ndjerë. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.