Promovohet libri kushtuar Mahir Domit
Në objektin e SHKA “ Agimi” në Prizren, është promovuar monografia “ Ndihmesa e profesor Mahir Domi për standardizimin e gjuhës letrare shqipe”, e autorit, Fetah Berisha.Pjesë e këtij aktiviteti kushtuar gjuhëtarit të mirënjohur, Mahir Domi, ishin personalitete të shquara të gjuhës dhe letërsisë shqiptare dhe të pranishëm të tjerë.
Recensenti i këtij botimi, Mehmet Halimi, tha se kjo monografi, është vepër e rëndësishme e cila i dedikohet kolosit të gjuhësisë shqiptare, Mahir Domi, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e gjuhësisë sonë në shekullin e XX-të.
Ndërkaq, profesor Sabri Bresa, e ka vlerësuar punën e autorit të librit, Fetah Berisha, në zbulimin e leximit të gjurmëve shkencore në fushën e gramatikës dhe veprave madhore në këtë fushë të dijetarit tonë të mirënjohur, Mahir Domi.
Vet autori, Fetah Berisha, tha se kjo monografi është një libër modest kushtuar një figure madhore të gjuhësisë shqiptare. Për të gjithë të pranishmit e këtij aktiviteti letrar, u shfaq edhe një program i pasur me pika të përzgjedhura muzikore./tvprizreni.com/