20-04-2024

Kush përfiton nga marrëveshja e Komunës me Infrakos-in që zhbllokoi lejet ndërtimore në Prizren?

Ilir Baldedaj, shef i grupit të asamblistëve të AAK-së në organin më të lartë lokal të Prizrenit, derisa ka paraqitur një dokument, ka pyetur në profilin e tij në “facebook”, se cili është pazari që fshihet pas marrëveshjes së Komunës së Prizrenit me Ndërmarrjen e hekurudhave të Kosovës “INFRAKOS”.

 

Për rreth gjashtë muaj, Gjykata e Prishtinës sipas padisë së INFRAKOS-it e ka bllokuar  planin zhvillimor të Komunës së Prizrenit, ndërsa kjo ka bërë që të pezullohen edhe lejet ndërtimore,  si rezultat i padisë.

 

Baldedaj ka thënë se gjatë kësaj kohe, Komuna e Prizrenit të vetmet veprime që ka bërë janë bisedat me zyrtarët e INFRAKOS-it, pa ndërmarrë asnjë veprim në terren.

 

“Përkundrazi degradimi i pjesës së mbrojtur të pronës së hekurudhës po vazhdon me ndërtime pa leje. Pyetja logjike që shtrohet pas marrëveshjes mes palëve, pa asnjë veprim të Komunës, është se çka fshihet pas kësaj marrëveshjeje”, ka shkruar ai.

Ai ka pyetur më tej se cili është pazari i fshehtë që ka ndodhur jashtë syrit të opinionit, në mes të Komunës INFRAKOS?

 

“A do t’i dëmtoj ky pazar të dy palët, ndërsa do të përfitojnë persona të fuqishëm në INFRAKOS dhe në Komunën e Prizrenit? Në këto dilema e dyshime përgjigjen do ta jap shumë shpejt koha!”, ka shkruar Baldedaj, që në qeverisjen e kaluar ka qenë edhe drejtor komunal për Administratë në Prizren.

 

“Shumë shpejt do t’i kuptojmë këto pazare, të cilat në terren do të nisin të mbijnë si vepra, në ndërkohë që hekurudha po degradohet edhe më tej dhe ekziston dyshimi i bazuar se është nënshkruar një marrëveshje për vazhdimin e degradimit të hekurudhës dhe jo vetëm”, ka përfunduar shkrimin ai./gazetaeprizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.