Pronarëve të kioskave në Prevallë u kërkohet t’i heqin ato, ose do të rrënohen
Pronarëve u është dhënë afat 24 orë t’i largojnë kioskat e tyre nga Parku Kombëtar “Sharri”.
Në të kundërtën, sipas një vërejtjeje që i është dërguar secilit, nga Ministria e Mjedisit, atyre do t’u konfiskohet malli, do të rrënohen kioskat dhe rasti do të procedohet në gjykatë, raporton KTV.
Megjithatë, pronarët e tyre nuk e kanë marrë parasysh këtë, duke thënë se atyre u është premtuar zgjidhje.
Thonë se vetëm me këtë e mbajnë familjen, andaj sipas tyre, duhet fillimisht të caktohet një lokacion tjetër për ta.
Edhe vizitorët janë kundër heqjes së këtyre kioskave, pasi thonë se ata qëndrojnë me javë aty dhe nuk kanë ku tjetër të furnizohen.
Pas paralajmërimit të Ministrisë së Mjedisit, pronarë të disa kamp-shtëpizave i kanë larguar ato.
Në këtë dikaster, thonë se nëse banorët nuk i largojnë vetë ato, ata ditëve në vazhdim, pa paralajmërim tjetër, do t’i rrënojnë.