Propozohet super ekspertizë në gjykimin ndaj të akuzuarit për shkaktimin e aksidenti në magjistralen Rahovec – Malishevë

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është shtyrë shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, Ibrahim Bytyqi.

Vendimin për shtyrjen e seancës e mori gjykatësi Njazi Morina, pasi prokurori Kastriot Memaj propozoi që për këtë çështje të bëhet super ekspertizë komunikacioni, me arsyetimin se ekzistojnë dy ekspertiza që kanë kundërthënie në mes vete.

“Me qëllim që të eliminohen paqartësitë apo kundërthëniet e siguruara në këtë çështje penale, ku do të vërtetohej se në këtë çështje cili ka qenë shkaktari kryesor i aksidentit, gjykatës i propozoj që të caktoj një super ekspertizë nga ana e ekspertëve të komunikacionit, e më pastaj të vazhdohet me mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor”, tha prokurori Memaj.

Propozimin e prokurorit Memaj e kanë mbështetur të gjitha palët gjyqësore, i cili më pas u aprovua nga gjykatësi Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tuje, mbrojtësi i të akuzuarit Bytyqi, avokati Haki Kryeziu, ka propozuar që lëndës t’i bashkëngjiten si dëshmi edhe katër foto nga vendi i ngjarjes, e që një propozim i tillë u aprovua më pas nga gjykatësi Morina.

Sipas gjykatësit Morina, seanca shtyhet në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, më 15 tetor 2015, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Bytyqi, duke i shqiptuar gjashtë muaj burgim me kusht, në atë mënyrë që i njëjti brenda dy viteve të mos kryej ndonjë vepër tjetër penale.

Kundër këtij aktgjykimi, më 4 dhjetor 2015 kishte bërë ankesë mbrojtësi i të akuzuarit Bytyqi, me arsyetimin se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës si dhe vërtetim të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Këtë çështje penale, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim me arsyetimin se ky aktgjykim i gjykatës së shkallës së parë është nxjerr me shkelje të dispozitave procedurale dhe se në shqyrtim gjyqësor nuk janë ftuar në cilësi të dëshmitarëve të gjitha palët e propozuara ne aktakuzë.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 9 korrik 2014, ka ngritur aktakuzë ndaj Ibrahim Bytyqit, të cilin e akuzon se më 14 shtator 2013, në rrugën magjistrale Rahovec – Malishevë, derisa drejtonte automjetin e tipit “Mercedes”, nga pakujdesia ka shkel dispozitat e nenit 54, dhe 71 të LSKRR.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari Bytyqi me automjetin e tij të tipt “Mercedes”, duke rrezikuar trafikun publik dhe jetën e të dëmtuarve Urim Bytyqi, Mërgim Bytyqi, Valon Bytyqi, Bashkim Bytyqi, Lulzim Mazreku, Arben Vrenezi, Ilir Xhyliqi, Faton Xhyliqi, Ibrahim Bytyqi, dhe Besnik Bytyqi, duke tejkaluar del në shiritin  e kundërt, godet automjetin e tipit “VË”, të cilin e drejtonte i dëmtuari Bashkim Bytyqi, dhe se pas goditjes të dy automjetet dalin nga rruga dhe përplasen në disa mure betoni, ku të dëmtuarit marrin lëndime të lehta dhe lëndime të rënda trupore.

Për këtë, ai po akuzohet për kryerjen e veprës penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 paragraf 8, pika 6 i të KPK-së. /BetimipërDrejtësi