Pse kuvendari i LDK-së, Hoxhaj e kritikon drejtoreshën e shëndetësisë nga Vetëvendosje?
Petrit Hoxha, anëtar i Kuvendit Komunal nga LDK, që është partnere në qeverisjen lokale të Prizrenit, ka kritikuar drejtoreshën komunale të shëndetësisë, Flaka Siqecën, për siç ka thënë veprim të njëjtë sikur ish-qeverisja paraprake, duke shkuar në Ulqin, me një grup punëtorësh të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare ( QKMF ), me parat e taksapaguesve.
“Në fillim të majit, drejtoresha së bashku me drejtorin e QKMF-së dhe një grup prej 30 punëtorësh shëndetësor më të privilegjuar kanë qëndruar për 3 ditë në Ulqin. Ky është keqpërdorim i buxhetit. Nga informatat që kam i njëjti grup shkon vazhdimit, derisa QKMF ka diku rreth 475 punëtorë. Kjo është një praktikë e keqe e ish-qeverisjes”, tha ai.
Për këtë, Hoxhaj ka kërkuar edhe përgjigje zyrtar me shkrim nga drejtoresha, duke e pyetur ndër të tjera për shumën dhe se si është marrë vendimi për pagesën e shpenzimeve.
Ndërkaq, drejtoresha Siqeca, në sqarimin e saj ka thënë se kjo është ndërmarrë pas realizimit të projektit që ka të bëjë më vizitat sistematike shëndetësore nëpër shkollat e komunës së Prizrenit, që realizohet për 11 vjet, e ku Prizreni është ndër të vetmit që realizon këtë projekt, kaq të rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve dhe edukimin shëndetësor të moshës shkollore.
Ajo tha se pas përfundimit të vizitave për çdo vjet, organizohet një punëtori me punëtorët e këtij projekti rreth përpunimit statistikor të të dhënave për hartimin e planeve të mëtejme të parandalimit të sëmundjeve ngjitëse, muskulo-skeletore dhe problemeve tjera për fëmijët e moshës shkollore në kujdesin primar.
Këtë vit, punëtoria është realizuar në Ulqin, nga 11 deri me 13 maj.
“Shuma e buxhetit të shpenzuar është 3.900 €”, ka thënë ajo për portalin informativ “gazetaeprizrenit.net”.
Siqeca ka sqaruar e ekipi i vizitave sistematike, këtë vit ka qenë i përbërë nga 10 mjekë, 3 stomatologë, 19 infermierë (prej të cilëve dy kane qenë të angazhuar në futjen e të dhënave në sistemin shëndetësor), 4 asistente të stomatologut, 6 laborantë dhe 2 vozitës.
Kuvendari Hoxha, ndërkaq ka thënë se në Ulqin kanë qenë edhe punëtorë nga sektori i teknologjisë informative dhe vaksinimit./gazetaeprizrenit.net/