25-04-2024

Kush e kritikon qeverisjen e Haskukës se angazhoi “dajallarët” për shpëlarjen e 33 mijë eurove?

Përfaqësues të opozitës në Prizren e kanë kritikuar qeverisjen lokale të Prizrenit, të udhëhequr nga Mytaher Haskuka, për siç thuhet shpëlarje të mjeteve në vlerë prej 33 mijë euro, të dedikuara për festat e qershorit, transmeton ‘gazetaeprizreit.net’.

Shefi i grupit të asamblistëve të AAK-së, Ilir Baldedaj ka kritikuar pushtetin jo vetëm për keq menaxhim të parasë publike, por edhe degradim të qendrës historike.

Ai ka shkruar në “facebook” se sa më shumë që kalon koha, shpërfaqen shenjat e keqmenaxhimit të parasë publike dhe zbulimit të fytyrës reale të këtij pushteti lokal.

“Komuna e Prizrenit ndau mbi 33 mijë euro, për aktivitetet e Ditëve të Lidhjes dhe Ditës së Çlirimit, dhe në këto aktivitete angazhohen “dajallarët e tezet” për ta shpërlarë këtë shumë të madhe të mjeteve. Këto mjetet shpërlahen me aktivitete pa publik. Aktivitetet ndodhin vetëm për t’u shpërlarë paratë. Sipas disa informacioneve që i kam dy media lokale po e bojkotojnë këtë aktivitet të Komunës”, ka shkruar ai.

Baldedaj ka thënë se qeveria lokale e ka degdisur Prizrenin dhe po e shndërron në një instrument totalitar, që nga mëngjesi në mbrëmje mendon vetëm për përfitimet personale dhe për rehatimin e militantëve.

Sipas tij, mungesa e transparencës është element bindës se kjo qeverisje ka mungesën e vizionit për udhëheqje të qytetit dhe është e paaftë edhe ta realizojë edhe buxhetin e votuar në Kuvendin Komunal.

Baldedaj, ka kritikuar se në pikë të ditës nën udhëheqjen e Haskukës, në zemër të qendrës historike janë hequr tjegullat e vjetra dhe vendosur moderne, janë ndërruar kulme, dyer e dritare sikur nuk po ndodh asgjë.

“Mjafton të jesh në Vendvendosje, dhe mund të bësh çka të duash në Prizrenit. Ky nuk është ndryshimi, ky është degradimi i qytetit që po ndodh përditë para syve tanë”, ka shkruar në përmbyllje kuvendari opozitar i AAK-së./gazetaeprizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.