04-10-2023

PSRK-ja kërkon ashpërsim e mbrojtja zbutje të dënimit ndaj Bajram Gashit, i dënuar me 30 mijë euro gjobë për ushtrim ndikimi

Në Gjykatën e Apelit, të martën janë shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe mbrojtësit të Bajram Gashit, avokatit Gëzim Kolegeci, ankesa këto të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. PSRK kërkoi ashpërsim të dënimit, kurse mbrojtja e të dënuarit me 30 mijë euro gjobë, kërkoi që Gashit t’i zbutet dënimi.

Më 25 korrik 2022, Themelorja shpalli aktgjykim dënues ndaj Gashit, duke e dënuar me 30 mijë euro gjobë, lidhur me akuzën për ushtrim ndikimi në vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ankesa e PSRK-së si dhe ajo e avokatit Kolgeci, u shqyrtuan nga kolegji i gjyqtarëve të Apelit, me kryetar kolegji gjykatësin Burim Ademi, gjyqtar referues Bashkim Hysenin, si dhe anëtar gjykatësin, Vaton Dërguti.

Gjykatësi Hyseni njoftoi se ankesë ka parashtruar PSRK-ja, sa i përket lartësisë së dënimit, duke i propozuar kështu Apelit që ndaj Gashit të shqiptohet dënim më i ashpër, marrë parasysh rrethanat se si ka ndodhur vepra penale.

Tutje, përmes parashtresës Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e PSRK-së të aprovohet, ndërkaq të hudhet poshtë ankesa e avokatit Kolgeci, si e pabazuar.

Avokati Kolgeci ankesë e tij e elaboroi para kolegjit të gjyqtarëve, duke thënë se Themelorja me rastin e nxjerrjes së aktgjykimit, është bazuar vetëm në supozime dhe se aktgjykimi nuk përshkruan faktet dhe argumentet për të cilat është dënuar Gashi.

Gjithashtu, avokati Kolgeci tha se përmes aktgjykimit të Themelores, është rrezikuar drejtësia dhe është cenuar integriteti i klientit të tij.

Ai i propozoi kolegjit të gjyqtarëve që ankesa e tij të aprovohet dhe aktgjykimi i Themelores të ndryshohet, ashtu siç është paraqitur edhe në ankesë.

Pasi të akuzuarit Rizan Hoxhaj dhe Dardan Hoxhaj kishin lidhur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë, i akuzuari Rizan Hoxhaj ishte dënuar me 28 mijë euro gjobë, ndërsa Dardan Hoxhaj me 5 mijë euro.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 13 prill 2021, thuhet se Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj akuzohej për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431, paragrafi 2 të Kodit Penal.

Siç thuhet në aktakuzë, Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj gjatë muajit korrik 2017, me qëllim të përfitimit material për vete, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj në rrugën “Ejup Statovci” në Komunën e Prizrenit, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin kërkuar nga Dardan Hoxhaj shumën prej 6 mijë euro.

Sipas prokurorisë, këtë shumë e kishin kërkuar me qëllim që i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokurore e rastit që ishte duke u zhvilluar ndaj të akuzuarit Dardan në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe si rrjedhojë ai nuk do të akuzohej për të gjitha veprat penale që ishte duke u hetuar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Hoxhaj, i joshur nga premtimi i të akuzuarve, gjatë muajit korrik të vitit 2017 të akuzuarit Rizan Hoxhaj fillimisht ia dorëzon shumën prej 1 mijë euro, ndërsa më 22 gusht 2017 ia dorëzon edhe shumën prej 5 mijë euro, si shpërblim për të akuzuarit për ndihmën që i kishin premtuar se do t’ia ofronin.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj akuzohej nga Prokuroria se gjatë muajit korrik dhe gusht 2017 në mënyrë dhe formë të përshkuar si më lartë ia kishte dhënë paratë në shumë prej 6 mijë euro të akuzuarit Rizan Hoxhaj për t’ia dërguar të akuzuarit Bajram Gashit njëherit bashkëshortit të prokurores Ervehe Gashi, e cila ishte prokuroja e rastit në procedurën penale që po zhvillohej kundër tij, në mënyrë që të ushtronin ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e prokurores dhe i akuzuari Dardan Hoxhaj të mos akuzohej për të gjitha veprat penale që po hetohej. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.