12-05-2026

Publikohen pamje brenda burgut në Hagë, ku mbahet katërshja e UÇK-së

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë publikuar pamje nga ambientet e Qendrës së Paraburgimit në Hagë, ku personat e paraburgosur kalojnë kohën e tyre gjatë procesit gjyqësor.

Sipas njoftimit të Speciales, të paraburgosurit kanë në dispozicion ajër të pastër, hapësira për ushtrime fizike, si dhe mundësi për të ushtruar rite fetare dhe për të pritur vizitorë.

“Të pandehurit që janë të paraburgosur para ose gjatë gjyqit të tyre në Dhomat e Specializuara të Kosovës mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Atje, ata kanë qasje në ajër të pastër dhe ushtrime, mund të shoqërohen, të presin vizitorë dhe të marrin pjesë në shërbesa fetare. Paraburgimi para ose gjatë një gjyqi bëhet vetëm kur është e nevojshme për të parandaluar një rrezik të konsiderueshëm, p.sh. rreziku që i pandehuri të përpiqet të frikësojë ose të ndikojë në dëshmitarë. Çdo dy muaj, Gjyqtarët e Gjyqit të Specializuar të Kosovës do të rishikojnë paraburgimin për të shqyrtuar nëse paraburgimi është ende i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftim.

Sipas Dhomave të Specializuara, paraburgimi aplikohet vetëm në rastet kur konsiderohet i domosdoshëm për arsye sigurie dhe parandalimi të ndikimit në procesin gjyqësor.

 

Asnjë koment

Comments are closed.