Publikohet Karta e Qytetit ‘’E Drejta mbi Qytetin e Prizrenit’’
Në një konferencë shtypi, në “Kino Lumbardhi” në Prizren, është prezantuar publikimi Karta e Qytetit ‘’E Drejta mbi Qytetin e Prizrenit’’.
Karta e Qytetit, e propozuar nga organizata “Ec Ma Ndryshe” , ka për qëllim që të promovojë dhe fuqizojë të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit, në kuadër të menaxhimit të përgjithshëm të qytetit.
Projekti ‘’Rikthimi i qytetit- E Drejta mbi Qytetin për grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit në Prizren’’ është një angazhim i EC-it në promovimin e hapësirave publike të sigurta, gjithëpërfshirëse, të qasshme, të gjelbra, të qëndrueshme dhe cilësore në Prizren, duke përfshirë, por pa u kufizuar vetëm në: rrugë, trotuare, korsi çiklizmi, sheshe, zona ujore, kopshte dhe parqe.
Rreth pikës ‘’Rikthimi i Qytetit’’-objektivat dhe arritjet foli Flaka Xërxa- Beqiri, ndërsa Fisnik Minci, autor i hulumtimit foli për çështjen e “E Drejta mbi Qytetin e Prizrenit’’.
Projekti është një përpjekje për të mbështetur grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit për të fituar dhe gëzuar plotësisht të drejtën e tyre mbi qytetin (dhe të drejtat e njeriut) nëpërmjet aktivizmit dhe mobilizimit për të nxitur reformën demokratike të planifikimit urban në Prizren.
Artan Abrashi, kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit, tha se pas miratimit nga KK, Prizreni do të bëhet Komuna e parë në Kosovë që ka një dokument të tillë./GazetaePrizrenit.net