Qarkullimi i parave të falsifikuara, ish-guvernatori i BQK-së thirrje që të evitohen pagesat ‘cash’
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti ka propozuar që qytetarët t’i ikin pagesave me para kesh në mënyrë që të mos bien pre e mashtrimeve të parave fallco.
Duke folur për dukurinë që e kapluar tregun kosovar me paratë fallco, Mehmeti u shpreh se qytetarët duhet t’i kryejnë pagesat përmes kartelave.
Më imun ndaj kësaj dukurie po vlerësohet të jetë sektori bankar, pasi sipas Mehmeti ato janë pajisur me pajisje për t’i verifikuar paratë fallco.
“Qytetarët janë në kontakt të përditshëm me paratë dhe për këtë arsye mundësitë që ata të bijnë preh e parave fallco janë shumë të mëdha, sidomos duhet të kihet parasysh një gjë që tentativa për të futur para fallco në një ekonomi siç është ekonomia e Kosovës ku ka një nivel të lartë të qarkullimit të keshit, është e lartë, për këtë arsye kërkesa ime është që të shmanget pagesa me kesh sepse edhe bankat përballen me situata të tilla. Ka tendenca mirëpo sektori bankar ka pajisje shumë të përsosura në identifikimin elementeve të sigurisë dhe njëkohësisht përdor metodat për të identifikuar paratë fallco. Kështu që siguria është shumë e lartë sa i përket sektorit bankar. Thirrja ime për gjithë qytetarët e bizneset është që t’i shmangin pagesat përmes keshit dhe këto pagesa t’i kanalizojnë përmes sistemit bankar dhe kjo është një mundësi e mirë duke pasur parasysh se ata mund të bien preh e këtyre manipulatorëve të cilët i kanë futur ato para në treg”, thotë Mehmeti.
Ndonëse marketet dhe furrat e bukës nuk mund t’u ikin pagesave me kesh, sipas Mehmetit të tjerat mund ta bëjnë një gjë të tillë.
“Aty ku është e mundshme të përdoret. Sektorin bankar e kemi të shtrirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, jam shumë i sigurt se në një dyqan në vendet rurale, pagesa mund të kryhen edhe përmes kartelave apo bankës por në rast se kjo është e pamundur, atëherë unë ju bëj thirrje të gjithë bizneseve që punojnë me kesh e që janë dy më së shumti që punojnë, furrat e bukës dhe marketet por edhe institucionet e bizneset tjera që punojnë me kesh, të pajisen me makina të cilat e identifikojnë paranë fallco. Kjo është në të mirën e tyre”, u shpreh ai.
Mehmeti ka kërkuar që institucioni që ai e ka drejtuar të punojë drejtë edukimit financiar në mënyrë që t’i identifikojnë paratë fallco.
“Institucionet që punojnë me para kesh, duhet të investojnë në trajnimin e stafit, i cili është i trajnuar për të njohur elementet e sigurisë por njëkohësisht për të përdorur metoda të cilat identifikojnë paranë fallco por këtë rast edhe Banka Qendrore e Kosovës duhet të punojë me edukimin financiar. Me trajnime, ëorkshope, në kuadër të edukimit financiar t’i trajnojë të gjithë klientët me qëllim që t’i njohin elementet e sigurisë dhe njëkohësisht të dijnë me përdor metoda për të identifikuar paratë fallco”, thotë tutje Mehmeti.
Mehmeti shton se dukurinë e parave falso nuk mundet ta parandalojë BQK-ja.
“Banka Qendrore krahas shumë aktiviteteve tjera që i ka, është edhe furnizimi i ekonomisë së Kosovës me monedha dhe kartmonedha që kjo gjë vazhdon të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ka monedha të mjaftueshme. Ndërsa kjo pjesa e futjes së parasë fallco, BQK-ja përpos edukimit financiar, nuk mund të bëjë këtë rast përpos edukimit financiar, në koordinim me institucionet e sigurisë e me institucionet tjera që janë relevante të kësaj fushe për të parandaluar këtë dukuri”, u shpreh ai./EO