23-11-2024

Qentë endacakë “pushtojnë” qendrën e Prizrenit

Qendra e Prizrenit, gjegjësisht sheshi “Shatërvan” duket se është shndërruar në zonë të qenve endacakë, të cilët janë bërë pjesë e pandashme e saj,

Përpos rrugëve të pjesëve tjera, qentë endacak që ndonjëherë edhe reagojnë dhe bëhen të rrezikshëm janë rishfaqur në numër më të madh edhe në zonën që dedikohet për këmbësorë, në qendër të qytetit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Prania e tyre, në numër bukur të madh  në qendër, pos rrezikut, krijon edhe një imazh të keq për qytetin, sidomos tashmë kur në ditët e ngrohta shtohet edhe numri  i vizitorëve të huaj.

Kjo çështje tashmë nuk është ndonjë risi, pasi është vazhdimësi nga viti i kaluar, dhe kësisoj pothuajse po shndërrohet në një karakteristikë të Prizrenit.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka thënë se nga shënimet përkatëse prizrenasit mbajnë në shtëpi rreth 5.000 qenë, ndërsa brenda një viti nëpër rrugë lëshohen 2.000-2.500 qenë.

“Duhet dënime, dhe se këtë po përpiqemi ta bëjmë edhe me rregullore”, ka thënë ai në takimin e fundit të Komitetit Komunal për Siguri në Bashkësi në Prizren, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Qentë lëvizin apo qëndrojnë të shtrirë në gurët e qendrës, afër kroit të “Shatërvanit” duke penguar kalimtarët.

Për të shmangur këtë duhet veprim konkret nga autoritetet. Nga gjendja e krijuar qytetarët po publikojnë nëpër rrjetet sociale foto të qenve endacakë, të shoqëruar me komente të ndryshme.

Autoritetet duhet ndërhyjnë me kohë që të mos përsëritet dukuria e vitit të kaluar, kur për vonesa në trajtimin e qenve endacakë, shtimi i tyre paraqiste një nga brengat kryesore të qytetarëve, të raportuar në Komunë./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.