26-11-2024

Qeveria ndan mjete financiare për rimëkëmbjen ekonomike, fillojnë pagesat e 170 eurove

Qeveria e Kosovës, me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimet për ndarje të mjeteve me qëllim të përmbushjes së obligimeve që dalin nga masat për rimëkëmbjen ekonomike të shkaktuar nga pasojat e pandemisë COVID-19.

“Pas shqyrtimit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për ndarjen e mjeteve financiare për rimëkëmbje ekonomike në shumë prej dyzet e katër milionë e shtatëqind mijë e një qind e pesëdhjetë e dy euro (44,700,152.00 €)”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Mjetet e ndara kanë për qëllim të rimbursimit të shpenzimeve nga ekzekutimi i masave: Nr. 1.1, Nr. 1.2, Nr. 1.3, Nr. 1.4, Nr. 1.7, Nr. 1.8, Nr. 1.14 dhe Nr. 1.15, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 30 mars 2020 për aprovimin e Pakos Emergjente Fiskale.

Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar propozimin e Ministrisë se Financave për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej pesëdhjetë milionë e pesëqind mijë euro (50,500,000.00 €), me qëllim të vazhdimit të ekzekutimit të masave: Nr. 1.3, Nr. 1.7, Nr. 1.8, Nr. 1.14 dhe Nr. 1.15, sipas Vendimit Nr. 01/19 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka propozuar që në vazhdim të seancës të hyjë në rend dite projektligji për rimëkëmbjen ekonomike. Ky propozim është kundërshtuar nga shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se nuk është e bazuar as në rregullore që të futet tash në rend dite, pasi jemi në gjysmë të seancës.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Memli Krasniqi, përkrahi propozimin e Arben Gashit, duke thënë se së bashku me ligjin për parandalimin e pandemisë, ta vënë në lexim të dytë në të njëjtën ditë, më 14 gusht.

Asnjë koment

Comments are closed.