Qeveria shqiptare i jep pension të posaçëm 117-vjeçares nga Berati, ajo është ndër më të moshuarat në botë
Qamile Metan Marra, 117-vjeçarja nga fshati Ferras i njësisë administrative Kozarë në rajonin e Beratit, do të përfitojë një shtesë të pensionit të posaçëm shtetëror.
Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave me propozim të Kryeministrit Edi Rama, ndërsa mbështetja financiare për 117-vjeçaren do të jetë në masën e dhjetëfishit të pensionit social.
Sipas vendimit zyrtar, kjo masë synon t’i sigurojë asaj dhe familjes së saj një përkrahje më të lartë ekonomike.
Vendimi i Këshillit të Ministrave
Në vendimin e miratuar nga qeveria përcaktohen edhe kufijtë financiarë të përfitimit të veçantë.
“Dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror znj. Qamile Metan Marra, në masën e dhjetëfishit të pensionit social, por shuma e pensionit të caktuar sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, dhe përfitimeve të caktuara sipas ligjeve për skemat suplementare dhe trajtimet e veçanta, plus këtë shtesë, të mos kalojë dymbëdhjetëfishin e pensionit social,” thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Qamile Metan Marra ka lindur më 19 gusht 1909 dhe gjatë gjithë jetës së saj ka qenë e lidhur me punën në bujqësi.
Në 117 vite jetë, ajo ka parë të rriten pesë breza të familjes së saj. Pavarësisht moshës së thyer, 117-vjeçarja vijon të jetë aktive dhe kujdeset për punët e oborrit në shtëpinë e saj në Ferras.
![]()
Historia e saj ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe mediave, jo vetëm për energjinë që vazhdon të ketë në këtë moshë, por edhe për jetëgjatësinë e saj të dokumentuar.
Mosha e Qamile Metan Marrës e rendit atë potencialisht mes njerëzve më të vjetër në botë, krahas emrave të verifikuar ndërkombëtarisht, si Ethel Caterham.
